
Lexoni edhe:
Meha: Me Vjosa Osmanin në LDK ka mundësi të bëhet një alternativë politike e mirë për Kosovën
Shkruan: ANALISTI-Skënder Kapiti
Nëse themi se Vjosa Osmani rikthehet në koalicion me LDK-në, ky do të ishte injorimi dhe zhvlerësimi më i madh për LDK-në, sepse deri në këtë derexhe paska rënë LDK-ja sa që të barazohet me një individ që nuk ka parti politike. Kjo do të thotë sakrifikim i LDK-së për interesin e Lumir Abdixhikut dhe të Vjosa Osmanit; kjo do të thotë se LDK-ja ka rënë në një mjerim asfiksues politik dhe intelektual.
-Vjosa Osmanin askush më nuk e konsideron palë politike. Ajo, me veprimet e saj më të fundit, i ka bërë dëm të madh politik vetvetes. Nëse LDK-ja e pranon Vjosën në krye të listës për deputete, kjo nuk përmirëson asgjë te LDK-ja, sepse jo vetëm anëtarësia, por edhe drejtuesit e strukturave të LDK-së janë të pakënaqur nga ajo dhe nga akrobacitë e saj endacake nga një koalicion te tjetri, vetëm për interesin e saj personal.
Anëtarësia dhe strukturat e LDK-së janë të pakënaqura edhe nga fakti i paaftësisë së Lumir Abdixhikut, i cili automatikisht, pas humbjes dërrmuese në zgjedhjet e fundit, duhej të kishte dhënë dorëheqjen. Pra, binomi Osmani-Abdixhiku e kanë kapur kështu LDK-në dhe u intereson mandati i deputetit të tyre dhe mbijetesa politike, e asgjë tjetër. Për interesin e tyre personal, si Abdixhiku para një viti, ashtu edhe Vjosa para dy muajsh, kërkuan mbështetje nga Kryeministri i Shqipërisë.
As Lumiri kryeministër dhe as Vjosa presidente nuk bëhen më 7 Qershor 2026.
Në këtë listë, Abdixhiku tha se do të përfshihen edhe 19 emra të tjerë të propozuar nga Osmani. Pra, kjo tregon se Abdixhiku e trajton LDK-në si Sali Berisha Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe si Edi Rama atë Socialiste, pra si monopol personal për të zgjedhur ai deputetët e tij, akrabanë klanorë, fisnorë e partiakë. Është mjerim për një parti politike kur ajo identifikohet dhe personalizohet nga një figurë politike, ashtu si po vepron sot LDK-ja.
LDK-ja është konsumuar tërësisht; asaj sot nuk i besojnë as rugovistët e vërtetë, sepse LDK-ja e sotme nuk ka asgjë me rugovizmin, përveçse atë të spekulimit me rugovizmin. Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut u ka rënë edhe maska e proamerikanizmit. Është e vërtetë se aleatët e Kosovës e kanë mbështetur dikur politikën e Rugovës, por kjo nuk do të thotë se e mbështesin Vjosën dhe Abdixhikun. U mundua Vjosa Osmani të manipulojë dhe të mashtrojë në publik se ajo ka mbështetjen e SHBA-ve për presidente; u mundua më kot edhe t’ua imponojë e t’u bëjë presion partive politike dhe sidomos LVV-së se ajo ishte e vetmja kandidate për presidente. Dhe më në fund, pasi nuk e rikandidoi asnjë parti politike, Vjosa shkon e dorëzohet në LDK për të gjetur strehë dhe për të marrë një mandat deputeteje, sepse si presidente kësaj radhe do t’i mbetet vetëm një ëndërr. Vjosën e bëri presidente Albini dhe LVV-ja, por me LDK-në ajo do të mbetet vetëm kandidate për presidente, e propozuar nga Abdixhiku, sikurse që mbeti kandidate për kryeministre nga Isa Mustafa në vitin 2019.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".