Supremja “i liron” qytetarët që nuk respektuan ndalesat e qarkullimit në kohën e Qeverisë Kurti
Gjykata Supreme e Kosovës ka miratuar mendimin juridik për veprën penale “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë”. Supremja ka vendosur se kjo vepër nuk mund të konsiderohet e kryer nga personat ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë, pasi vendimi për ndalim të lëvizjes që ishte nxjerrë nga Qeveria, ishte antikushtetues
“Vepra Penale e “Mosveprimit sipas dispozitave shëndetësore gjate epidemisë” nga neni 250 i Kodit Penal të Republikës se Kosovës, nuk mund të konsiderohet e konsumuar nga i dyshuari kur kemi te bëjmë me shkeljen e vendimit nr. 01/15 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për masat e parapara që detyronin qytetarët”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
“Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, me parashtresën e datës 20.05.2020 ka kërkuar nga seanca e përgjithshme e Gjykatës Supreme të Kosovës, dhënien e mendimit juridik në lidhje me veprën penale të Mosveprimit sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë, e cila sanksionohet në kuadër te nenit 250 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, duke theksuar po ashtu se kemi një vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës 01/15 të datës 23.03.2020, me të cilin është ndaluar qarkullimi i lirë i qytetarëve dhe automjeteve në Republikën e Kosovës nga ora 10 h – 16 h dhe 20 h- 06 h e gjithashtu në kuptim edhe të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës KO 54/20 të datës 31.03.2020”
Sipas Supremes, nuk mund të dënohen personat që nuk kanë respektuar këtë vendim, pasi Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se vendimi i Qeverisë nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.
Po ashtu, është bërë e ditur se masat ndëshkuese të karakterit penal në kontekst të mbrojtjes së shëndetit publik gjatë kohës së emergjencave shëndetësore, siç janë epidemitë mund të aplikohen vetëm kur ato masa janë rreptësisht në pajtim me ligjin dhe të nxjerra nga autoritetet përkatëse të mandatuara me ligj për nxjerrjen e tyre, në të kundërtën, zbatimi i tyre në kontekst penal, do të ishte arbitrar.
(Kosova Sot Online)
