Haradinaj: Nuk diskutuam për çështjen e presidentit por nuk ishte takim i lehtë

  • A.P /
  • 24 August 2020 - 21:02
Haradinaj: Nuk diskutuam për çështjen e presidentit por nuk ishte takim i lehtë

Kryetari i AAK’së Ramush Haradinaj ka folur për takimin e sotëm me shefat e partive të koalicionit qeverisës. Tha se nuk ishin dy orë të lehta por se me Isa Mustafën, Avdullah Hotin e Fatmir Limajn nuk kanë diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

I pari i AAK’së tha se ka kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti që t’i kërkojë Shtëpisë së Bardhë dhe BE’së njohjen e Kosovës nga Serbia.

Shqetësuese ish-kryeministri e sheh mos definimin e kohës sa do të dialogohej për një marrëveshje përfundimtare në mes të dy vendeve.

“Takimi i sotëm ka qenë përgatitje për takimin e 4 shtatorit. Nuk kemi fol për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Kemi folur për procesin e dialogut në tërësi’, tha Haradinaj

“Nuk ka qenë takim i lehtë, por i sinqertë’, shtoi ai.

“Kam bërë përpjekje me sqaru analizën time se dialogu ka filluar pa një qartësi kohore por edhe çështja e temave që po lindin… është një paqartësi për Kosovën që do të marrë kohë pa epilog’, tha ai.

“Hoti t’i adresojë palëve kërkesën për njohje për njohje nga Serbia”, theksoi Haradinaj.

Haradinaj është i bindur se në Washington nuk do të diskutohet vetëm zgjedhja e problemeve të natyrës ekonomike.

“Nuk besoj që në Shtëpinë e Bardhë kanë me u diskutu veç temat ekonomike. Këtë e them me siguri, nuk besoj që delegacionet e Serbisë dhe të Kosovës kanë me shku deri aty vetëm me e përtri marrëveshjen për transport hekurudhor ose ajror ose diçka ngjashëm. Unë mendoj që aty shumica e kohës ka me ju fokusu marrëveshjes për njohje’, tha Haradinaj.

Sipas tij Shtëpia e Bardhë është vendi i duhur ku duhet të shkojmë dhe të jemi konkret.

Më datën 4 të muajit të ardhshëm në Shtëpinë e Bardhë do të takohen zyrtarë të Kosovës dhe Serbisë.

(Kosova Sot Online)