Personat që nuk respektojnë masën e izolimit dënohen deri në 500 euro

  • E.K /
  • 27 August 2020 - 10:37
Personat që nuk respektojnë masën e izolimit dënohen deri në 500 euro

Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 tashmë është në fuqi. Me këtë Ligj, personi i i cili ka obligim të izolohet apo karantinohet për afatin e përcaktuar kohor nga organi kompetent si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID–19 dhe nuk i zbaton urdhrat e dhënë nga organet kompetente dënohet me gjobë deri në 500 euro.

Neni 26 i këtij ligji rregullon çështjen e izolimit dhe karantinës gjatë pandemisë COVID-19.

Neni 26- Izolimi dhe Karantina

I. Personi i cili ka obligim të izolohet apo karantinohet për afatin e përcaktuar kohor nga organi kompetent si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID–19 dhe nuk i zbaton urdhrat e dhënë nga organet kompetente dënohet me gjobë:

1.1. Personi i vendosur në izolim apo karantinë sipas vendimit të organit kompetent i cili nuk i zbaton rregullat e përcaktuara gjatë kohës së qëndrimit në izolim/karantinë apo tenton të largohet nga izolimi/karantina dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro si dhe rikthimin në izolim apo karantinim;

1.2. Personi i cili hyn në zonën karantinë të Republikës së Kosovës dhe nuk izolohet apo karantinohet, siç është përcaktuar me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro;

1.3. Personi i cili vjen nga zona karantinë dhe nuk zbaton vendimin nga organi kompetent për izolim apo karantinim të detyrueshëm dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) euro;

1.4. Personi i cili del nga izolimi ose zona e karantinës e përcaktuar me vendim të organit kompetent, pa leje përkatëse dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) euro. 

(Kosova Sot Online)