Hashim Thaçi para fundosjes provokon deputetët, ta shkurtojnë mandatin e Gjykatës Speciale

Hashim Thaçi para fundosjes provokon deputetët, ta shkurtojnë mandatin e Gjykatës Speciale

Hajrullah Tërnava

  • 27 August 2020 - 07:32

Shkruan: Hajrullah Tërnava

“Tani sikur që e dimë rrolin e Thaçit që nga fillimi i krijimit të këtij gjyqi dhe më pas, që në shumë raste ishte nxitës që të krijohet Gjyqi Special, por mbas një kohe, kur e kuptonte se edhe vetë do të jetë protagonist i këtij gjyqi, ai ishte pishmangjiu që bënte çmos për ta anuluar këtë gjykatë, vjen në shprehje ajo thënia popullore se “ai që donë të mbytet në ujë kapet për kashte”. Kjo i përngjanë edhe këtij tentimi të fundit, që sipas të gjitha gjasave do të jetë loja e fundit e pasuksesshme e Hashim Thaçit që në emër të vazhdimit të mandatit të ri të Gjykatës Speciale të ndërhyhet në ligj dhe të shkurtohet, ndërpritet mandati i saj pas kalimit të periudhës së saj të re 5 vjeçare në vijim”.

Hashim Thaçi si çdo herë, do të tentoj ta luaj lojën e ti fus në lojë Kuvendin e Kosovës lidhur me përcaktimin e ri të mandatit të Gjykatës Speciale. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një video në llogarinë e tij në Facebook, ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’ia vazhdojnë mandatin Tribunalit Special të Hagës, por në të njëjtën kohë ka kërkuar që të ndryshohet ligji, për specialen me mundësi të kufizimit në kohë të mandatit të kësaj Gjykate. Hashim Thaçi i ka dërguar edhe një letër Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar amendamentin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, që të ndërrohet njëra nga pikat e Ligjit, ku flitet në mënyrë specifike për mandatin e Gjykatës Speciale. Thaçi ka kërkuar që të fshihet teksti i pikës 13 të Nenit 162 ku thuhet se: “ Mandati i Dhomave te Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë për një periudhë pesë (5) vjeçare, përveç nëse njoftimi i përfundimit të mandatit në pajtim me Ligjin No.04/L-274 bëhet më herët, dhe të zëvendësohet me formulim të ri ku do të thuhet: “Mandati i Dhomave te Specializuara dhe Zyrës se Prokurorit te Specializuar të zgjas deri atëherë kur njoftimi për përfundimin e mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Hashim Thaçi ka thënë, kinse politika nuk duhet te ndërhyjë në drejtësi dhe as drejtësia në politikë, se kjo është bindja e tij në çdo hap të mbështetjes për krijimin e gjykatave ndërkombëtare dhe paneleve speciale në këto dy dekadat e fundit. Ai ka thënë se kjo vazhdon të jetë bindja e tij edhe tash kur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës po kërkon që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, por se ka nevojë për qartësi sa i përket mënyrës se si mbyllen Dhomat e Specializuara, prandaj thotë se beson që deputetet do ta përkrahin këtë iniciativë të presidentit. Unë mendoj se kjo thirrje e Thaçit e ka edhe një dozë të madhe të përmbajtjes kontroverse sepse tutje, presidenti thotë se Kosova po përballet tash e 20 vjet pas çlirimit me gjykata që po e gjykojnë luftën e UÇK-se, ndërsa Gjykata Speciale është gjykata e pestë me radhë, pasi që sipas tij, në këto 20 vjet pas çlirimit, Kosovës nuk i kanë munguar gjykatat për gjykimin e luftës së fundit në Kosovë, kurse Gjykata Speciale është gjykata e pestë e themeluar për këtë çështje.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".