Tash e tri ditë më pak se 100 raste me COVID-19

  • A.P /
  • 08 September 2020 - 16:42
Tash e tri ditë më pak se 100 raste me COVID-19

Numri i të infektuarve me COVID-19 ka shënuar rënie në tri ditët e fundit. Sipas raporteve 24 orëshe të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik lidhur me situatën epidemiologjike në vend, në tri ditët e fundit janë konfirmuar më pak se 100 raste pozitive me këtë sëmundje. Lajm tjetër i mirë është se që nga dje nuk është regjistruar asnjë vdekje nga koronavirusi.

Rreth 500 kosovarë janë testuar që nga dje për të konfirmuar nëse janë të prekur me koronavirusin e ri. Por, listës së personave të infektuar me sëmundjen që e shkakton ky virus i janë shtuar 97 prej tyre.

Lajmin e ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, përmes raportit 24 orësh rreth situatës epidemiologjike në Kosovë.

Sipas raportit të IKSHP’së, të infektuarit vijnë nga Prishtina, Gjilani, Klina, Peja, Gjakova, Vushtrria, Drenasi, Fushë Kosova, Mitrovica, Obiliqi, Deçani, Kamenica, Lipjani, Podujeva, Prizreni, Rahoveci, Vitia, Ferizaj, Hani i Elezit, Shtimja, Skenderaj, Suhareka dhe Zubin Potoku.

IKSHP’ja ka njoftuar edhe se në 24 orët e fundit nuk ka vdekur asnjë i prekur me COVID-19 dhe për shërimin e 139 pacientëve.

“Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 139 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 10.782 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.951”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)