Thirrje publike për ministrin e arsimit z. Ramë Likaj!

  • G.G /
  • 12 September 2020 - 14:03
Thirrje publike për ministrin e arsimit z. Ramë Likaj!

Fatkeqësisht, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) që ju e drejtoni, dje, më 11 shtator 2020, filloi komprometimin dhe fëlliqjen e kësaj fushe dhe atë duke keqpërdorur fondet publike dhe duke bërë shkelje të legjislacionit në fuqi (të gjitha këto do t’i faktoj dhe argumentoj në vijim). Pra, tri krime brenda një veprimi: 1) komprometimi i një fushe me reputacion e suksese të mira vendore e ndërkombëtare, 2) shkelja e legjislacionit në fuqi dhe 3) keqpërdorimi i fondeve publike.

Shkruan: Jusuf Thaçi

I nderuar Ministër Likaj,

Jam i vetëdijshëm se jeni shumë i zënë e i ngarkuar me çështjen e fillimit të vitit shkollor në këtë kohë pandemie, për të cilën gjë edhe unë jam munduar ta përkrahë ministrinë aq sa di e aq sa mundem, me shpresë që procesi edukativo-arsimor në Kosovë të fillojë e të zhvillohet sa më mirë marrë parasysh kushtet e rrethanat që na imponon pandemia.

Megjithatë, përmes kësaj thirrjeje publike, si person që qe 10 vjet jetë (jo thjesht karrierë e vend pune) ia kam kushtuar identifikimit dhe përkrahjes së nxënësve dhe të rinjve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente në Kosovë, dua t’ju lus për pak vëmendje për këtë çështje shumë të rëndësishme.

Fusha e identifikimit dhe përkrahjes së nxënësve dhe të rinjve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente në Kosovë është ndër fushat e pakta të arsimit që ka mbetur e pakomprometuar deri më tani në Kosovë. Është e vërtetë që në këtë fushë është bërë pak në vendin tonë, por është shumë me rëndësi që ajo çfarë është bërë në këtë fushë është bërë shumë mirë dhe për këtë ka dëshmi e suksese vendore e ndërkombëtare (disa do t’i përmend në vijim). Kjo ka ndodhur falë disa organizatave e individëve të paktë që e kanë pasur mision e pasion identifikimin dhe përkrahjen e kësaj kategorie të shoqërisë. Ironikisht, kjo ka ndodhur edhe falë faktit se për këtë fushë nuk ka pasur shumë përkrahje financiare nga institucionet, nga donatorët e nga kompanitë (ne që jemi marrë e merremi me këtë fushë shpeshherë detyrohemi të punojmë vullnetarisht) dhe kjo ka bërë që kjo fushë të mos zgjojë interesin e individëve e organizatave që mision të vetëm e kanë mbledhjen e fondeve dhe pasurimin e vetes.

Fatkeqësisht, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) që ju e drejtoni, dje, më 11 shtator 2020, filloi komprometimin dhe fëlliqjen e kësaj fushe dhe atë duke keqpërdorur fondet publike dhe duke bërë shkelje të legjislacionit në fuqi (të gjitha këto do t’i faktoj dhe argumentoj në vijim). Pra, tri krime brenda një veprimi: 1) komprometimi i një fushe me reputacion e suksese të mira vendore e ndërkombëtare, 2) shkelja e legjislacionit në fuqi dhe 3) keqpërdorimi i fondeve publike.

Para ca kohësh MASH-i kishte shpallur konkurs publik për përkrahjen financiare të OJQ-ve që kanë projekte që përkrahin nxënësit me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente në Kosovë, në përputhje me Rregulloren e Ministrisë së Financave Nr. 04/2017 Mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve. Është me rëndësi të përmendet se subvencionet për këtë konkurs janë subvencione të veçanta të dedikuara ekskluzivisht për këtë kategori të nxënësve (jo subvencionet e përgjithshme të pakategorizuara). Dje, më 11 shtator 2020, komisioni përkatës i MASH-it ka shpallur listën e organizatave përfituese, gjithsej 11 organizata (vendimi është i bashkëngjitur si link në fund të këtij shkrimi). Bazuar në këtë vendim, bazuar në rregulloren e sipër-përmendur, si dhe bazuar në të dhënat publike për OJQ-të, shumë lehtë mund të konstatohen shkelje të shumta, të cilat, më kryesoret, po i prezantoj në vijim:

1. Përveç tri organizatave (Instituti ATOMI, Shoqata e Matematikanëve të Kosovës – SHMK dhe Shoqata Kosovare e Fizikës – SHKF), tetë organizatat tjera përfituese nuk e kanë fare në misionin e qëllimin e tyre këtë kategori të nxënësve (secili person i interesuar për ta konfirmuar këtë mund të hyjë online në regjistrin publik të OJQ-ve dhe ta konfirmojë këtë fakt). Si të tilla, këto organizata as nuk do të duhej të shqyrtoheshin nga komisioni, lëre më të përzgjidhen si përfituese të fondeve publike për një fushë që nuk e kanë as mision e as qëllim.

2. Në mesin e përfituese ka edhe organizata që ende nuk i kanë mbushur as një vit që prej se janë regjistruar si OJQ në Ministrinë e Administratës Publike – MAP (secili person i interesuar për ta konfirmuar këtë mund të hyjë online në regjistrin publik të OJQ-ve dhe ta konfirmojë këtë fakt). Kjo dëshmon se konkursi është i manipuluar dhe vendimi i Komisionit është kundër legjislacionit dhe kundër kritereve të thirrjes publike. Kjo dëshmohet qartë nëse i referohemi Rregullores së Ministrisë së Financave Nr. 04/2017 Mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, Nenit 11, Paragrafit 1.5, e cila thotë se OJQ-të aplikuese duhet: “të dëshmojnë se kanë përvojë në realizimin e projekteve/programeve të ngjashme duke siguruar dëshmi të realizimit të projekteve të ngjashme në të kaluarën, nëse kjo është e domosdoshme sipas thirrjes përkatëse”. Në të njëjtën kohë, Thirrja publike është edhe më eksplicite dhe thotë: “të drejtë aplikimi me projektet e tyre kanë OJQ-të që janë të regjistruara në regjistrin e organizatave joqeveritare në Republikën e Kosovës dhe të cilat veprojnë në Republikën e Kosovës së paku një (1) vit para datës së publikimit të thirrjes publike.”. Pra, bazuar në rregulloren në fjalë dhe në thirrjen publike, organizata të tilla as nuk do të duhej të shqyrtoheshin e lëre më të përzgjidheshin përfituese.

3. Vendimi i komisionit i bërë publik është i nënshkruar vetëm nga 3 anëtarë të komisionit, ndërsa nuk është i nënshkruar nga 2 anëtarët tjerë. Kjo është në kundërshtim të plotë me Rregulloren e Ministrisë së Financave Nr. 04/2017 Mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, Neni 16, Paragrafi 4, i cila thotë se: “vendimi duhet të nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e Komisionit Vlerësues”. Vetëm ky fakt i shkeljes flagrante të rregullores që e rregullon këtë proces do duhej ta bënte të pavlefshëm këtë vendim.

4. Tetë nga organizatat e shpallura si përfituese, përveç që nuk e kanë në misionin e qëllimin e tyre këtë kategori të nxënësve (siç u përmend në pikën 1), ato nuk kanë as përvojë në këtë fushë dhe me këtë kategori të nxënësve. Prandaj, përzgjedhja e tyre si përfituese në këtë konkurs është shkelje e drejtpërdrejtë e Rregullores së Ministrisë së Financave Nr. 04/2017 Mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, Nenit 11, Paragrafit 1.5, e cila thotë se OJQ-të aplikuese duhet: “të dëshmojnë se kanë përvojë në realizimin e projekteve/programeve të ngjashme duke siguruar dëshmi të realizimit të projekteve të ngjashme në të kaluarën, nëse kjo është e domosdoshme sipas thirrjes përkatëse”. Në të njëjtën kohë, Udhëzuesi për aplikim i Thirrjes publike është edhe më eksplicit dhe thotë se organizata aplikuese duhet: “të kenë përvojë në implementimin e projekteve nga fushat prioritare të thirrjes publike”. Si të tilla, këto organizata as nuk do të duhej të shqyrtoheshin nga komisioni, lëre më të përzgjidhen si përfituese të fondeve publike për një fushë që nuk kanë përvojë.

5. Këto tetë organizata, duke mos e pasur në misionin e qëllimin e tyre këtë kategori të nxënësve, si dhe duke mos pasur përvojë në këtë fushë dhe me këtë kategori të nxënësve, nuk kanë asnjë arritje a sukses, as vendor e as ndërkombëtar, në këtë fushë apo me këtë kategori të nxënësve. Pavarësisht kësaj, këto organizata janë barazuar e janë përkrahur ngjashëm me organizatat tjera që e kanë mision e qëllim pikërisht këtë kategori të nxënësve, që kanë përvojë 10-vjeçare në këtë fushë dhe me këtë kategori të nxënësve, si dhe që kanë njohje, certifikim dhe suksese ndërkombëtare (kjo është jashtëzakonisht ofenduese për këto organizata, për këtë fushë të arsimit dhe për këtë kategori të nxënësve). Këtu mjafton të përmendet Instituti ATOMI, i cili ka hyrë në ciklin e dhjetë të zbatimit të Projektit ATOMI, i cili merret ekskluzivisht me identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente në Kosovë, duke përdorur procedura e instrumente shkencore të njohura ndërkombëtarisht. Si rezultat i kësaj, në vitin 2016 Instituti ATOMI është certifikuar nga Këshilli Evropian për Aftësi të Lartë (European Council for High Ability – ECHA) si Pikë Evropiane për Talentet (European Talent Point – ETP) në Kosovë dhe po ashtu është bërë anëtare e Rrjetit Evropian për Përkrahjen e Talenteve (European Talent Support Network – ETSN) së bashku me shumë organizata të tjera të vendeve të ndryshme evropiane. Për dijeni, vet ECHA është OJQ evropiane, e cila mbanë statusin e organizatës konsultuese në kuadër të Këshillit të Evropës. Gjithashtu në vitin 2016, Instituti ATOMI dhe Kosova është bërë anëtare e “Asociacionit Kangourou sans Frontières (AKSF)” dhe duke filluar nga viti 2017 Instituti ATOMI është autorizuar dhe certifikuar nga AKSF për organizimin e garës më të popullarizuar në botë për fushën e matematikës “Kangaroo” në Kosovë (çdo vit). Gara Ndërkombëtare e Matematikës “Kangaroo” organizohet çdo vit në të njëjtën ditë në mbarë botën dhe në të marrin pjesë për çdo vit mbi 6 milionë nxënës të arsimit parauniversitar nga rreth 75 shtete të ndryshme të botës. Në anën tjetër, që nga viti 2014 organizata Mensa, e cila është organizata më e madhe ndërkombëtare (me shtrirje në më shumë se 100 vende të botës) që merret me personat me inteligjencë të jashtëzakonshme në botë ka konfirmuar se i njeh dhe i certifikon praktikat, instrumentet dhe rezultatet e ATOMI-t. Prandaj, çdo atomist që përzgjidhet nga ATOMI mund të anëtarësohet si anëtar në Mensa vetëm me referencë nga ATOMI, pa iu nënshtruar testimeve të Mensës. Kjo njohje dhe ky reputacion i mirë evropian e ndërkombëtar për ATOMI-n vjen si rezultat i zbatimit të standardeve, kritereve dhe praktikave më të mira shkencore, profesionale e etike, evropiane e ndërkombëtare, që ATOMI bën gjatë punës së vet. Të gjitha këto i kanë siguruar Institutit ATOMI kredibilitet dhe reputacion shumë të mirë edhe brenda vendit, në Kosovë. Veç ATOMI-t si organizatë, për publikun tonë janë të njohura suksese kulminante ndërkombëtare të arritura nga atomistët, të cilët janë identifikuar dhe përkrahur nga ATOMI. Këtu është me rëndësi ta sqaroj që nuk po flas në emër të Institutit ATOMI, meqë aktualisht nuk mbaj pozita udhëheqëse e vendimmarrëse në këtë organizatë, por vetëm po ofroj fakte rreth kësaj organizate dhe Projektit ATOMI, në të cilin punoj qe mbi 9 vite. Përveç Institutit ATOMI, edhe Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK) dhe Shoqata Kosovare e Fizikës (SHKF) janë barazuar e janë përkrahur ngjashëm me organizatat tjera, pavarësisht se këto dy organizata merren ekskluzivisht me identifikimin dhe përkrahjen e talenteve të fushave të tyre përkatëse, duke organizuar Olimpiadat Shtetërore të Matematikës (SHMK) e të Fizikës (SHKF) dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja këto dy organizata edhe zyrtarisht e përfaqësojnë Kosovën si shtet në olimpiadat përkatëse ndërkombëtare, olimpiada të cilat janë në kuadër të UNESCO-s dhe në të cilat marrin pjesë të gjitha shtetet e botës. Fatbardhësisht, edhe në këto olimpiada ndërkombëtare Kosova ka arritur suksese, më konkretisht talentet nga Kosova gjatë viteve të fundit kanë arritur të fitojnë dy Medalje të Bronzta në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (IMO).

I nderuar Ministër Likaj,

Jam i vetëdijshëm se menaxhimi i procesit dhe rezultatit të këtij konkursi është detyrë dhe përgjegjësi e stafit civil të ministrisë, jo e juaja si udhëheqës politik i institucionit. Megjithatë, faktet dhe argumentet e sipër-përmendura dëshmojnë shkelje flagrante të legjislacionit në fuqi nga ana e komisionit vlerësues dhe ashtu siç e përmenda më sipër u dëshmuan tri krime brenda një veprimi: 1) komprometimi i një fushe me reputacion e suksese të mira vendore e ndërkombëtare, 2) shkelja e legjislacionit në fuqi dhe 3) keqpërdorimi i fondeve publike.

Prandaj, ju bëj thirrje publike që të ndërhyni në këtë proces, meqë tashmë ju keni përgjegjësi morale, politike e institucionale që të ndërmerrni të gjitha veprimet e nevojshme që ky vendim të anulohet dhe sipas nevojës ose të formohet komision i ri vlerësues, i cili është profesional, i cili e njeh fushën dhe rëndësinë e saj dhe i cili vlerëson bazuar në legjislacionin në fuqi dhe bazuar në kriteret e Thirrjes publike, ose të anulohet tërësisht konkursi/thirrja publike dhe procesi të fillojë nga fillimi e të realizohet si duhet bazuar në legjislacionin në fuqi.

Madje, nëse dikush brenda ministrisë është këmbëngulës që t’i përkrahë organizatat e veta të preferuara, së paku le të ndërrohet emri i linjës buxhetore dhe pastaj edhe emërtimi i konkursit e le t’i ndajnë ato mjete për kë të duan, por së paku fusha që ka të bëjë me identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente në Kosovë të mbetet e pakomprometuar nga tugjarët e fondeve. Kjo është shumë e rëndësishme, pavarësisht se organizatat që merren me këta nxënës mund të mbesin pa përkrahje, sepse kjo fushë dhe kjo kategori e nxënësve është më e rëndësishme se këto organizata.

I nderuar Ministër Likaj,

Për aq sa më njihni mua dhe aktivitetin e kontributin tim publik e jo-publik në fushën e arsimit në Kosovë, jam i bindur që e dini që insistimi im për ta mbrojtur nga komprometimi fushën që ka të bëjë me identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente në Kosovë dhe për ta mbrojtur nga keqpërdorimi këtë kategori të nxënësve në Kosovë nuk është i motivuar fare nga interesi im personal financiar (unë realizoj për mbi 9 vite të ardhura dyfish ose trefish më të ulëta në punën time me këtë kategori të nxënësve se sa do të mund t’i realizoja me ofertat tjera që i kam pasur e i kam në dispozicion), as nga interesi financiar i organizatës ku punoj (për shkak të profesionalizmit të lartë dhe reputacionit të mirë Instituti ATOMI vazhdimisht ka pasur oferta për të marrë përkrahje financiare afatgjata për zbatimin e projekteve të ndryshme, por asnjëherë nuk ka pranuar donacione e financa për të zbatuar projekte që janë jashtë misionit e qëllimeve të organizatës). Ky insistim i imi vjen nga bindja ime e thellë se nxënësit me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente janë pasuria më e madhe dhe më e paçmueshme e vendit tonë, prandaj puna me ta duhet të jetë tërësisht shkencore, profesionale dhe etike, në mënyrë që këta nxënës e të rinj të mund ta zhvillojnë potencialin e tyre intelektual dhe kësisoj të arrijnë qëllimet e tyre dhe si rrjedhojë t’i shërbejnë edhe vendit dhe shoqërisë sonë, por edhe shoqërisë njerëzore në përgjithësi. Është krim kolosal dhe i pafalshëm që një pasuri e tillë të mbetet në dorën e sharlatanëve, matrapazëve dhe grykësve. Andaj, të lutem na ndihmo ta shpëtojmë këtë fushë të arsimit dhe këtë kategori të nxënësve nga të tillët!

Me respekt,

Jusuf Thaçi

Prishtinë, më
12 shtator 2020

P.S.:

1. Një përmbledhje të këtyre që i shkrova këtu ia kam thënë Ministrit Likaj edhe në një takim, mirëpo këtu i kam shpalosur në detaje, si dhe kam dashur që të gjitha këto të bëhen publike edhe për qytetarët që janë të interesuar për këtë çështje.

2. Ngjashëm si këtë vit, edhe vitin e kaluar ka ndodhur krim me këto subvencione, mirëpo kam shpresuar që ka qenë hera e parë dhe e fundit, prandaj dhe nuk kam reaguar publikisht.

(Kosova Sot Online)