Papa Leo paralajmëron për rrezikun e ri

  • A.P /
  • 25 May 2026 - 13:45
Papa Leo paralajmëron për rrezikun e ri

Papa Leo XIV ka paralajmëruar se inteligjenca artificiale (AI) nuk duhet të kontrollohet nga “një pakicë njerëzish” dhe se teknologjia po ndikon gjithnjë e më shumë në konfliktet botërore.

Në dokumentin e tij të parë të madh teologjik, të quajtur “Magnifica Humanitas” (“Njerëzimi Madhështor”), Papa kërkon që përdorimi i AI në luftë të kufizohet me “rregulla etike shumë të rrepta”.

Ai theksoi se njerëzimi duhet të mbrojë dinjitetin dhe vlerën unike të njeriut përballë zhvillimit të shpejtë teknologjik.

Papa Leo XIV deklaroi gjithashtu se teoria tradicionale e “luftës së drejtë” tashmë është “e vjetëruar”, duke thënë se përdorimi i forcës ushtarake mund të justifikohet vetëm për vetëmbrojtje në kuptimin më të ngushtë, raporton CNN.

Sipas tij: “Ndërtimi i një bote në konflikt të përhershëm është një e keqe”.

Ai shtoi se dialogu, diplomacia dhe falja janë mënyra më të mira për të zgjidhur konfliktet sesa armët dhe dhuna.

Në dokument, Papa krahasoi zhvillimin e AI me historinë biblike të “Kullës së Babelit”, duke paralajmëruar se teknologjia mund të përdoret për dominim dhe çnjerëzim nëse nuk kontrollohet si duhet.

Ai kërkoi: mbrojtjen e vendeve të punës, mbikëqyrje të pavarur për AI, ligje të forta ndërkombëtare,dhe një shpërndarje më të drejtë të përfitimeve teknologjike.

Papa kritikoi gjithashtu idetë e “transhumanizmit”, që synojnë tejkalimin e kufijve biologjikë të njeriut përmes teknologjisë, duke theksuar se AI nuk është “moralisht neutrale”.

Dokumenti 235-faqësh konsiderohet si një nga tekstet më të rëndësishme të pontifikatit të tij dhe shihet si përgjigja e Kishës Katolike ndaj revolucionit të inteligjencës artificiale.

(Kosova Sot Online)