Organizata Botërore e Tregtisë: ShBA-ja shkeli rregullat tregtare me taksat ndaj Kinës

  • E.K /
  • 16 shtator 2020 - 11:50
Organizata Botërore e Tregtisë: ShBA-ja shkeli rregullat tregtare me taksat ndaj Kinës

Organizata Botërore e Tregtisë vlerësoi të martën se Shtetet e Bashkuara i kanë shkelur rregullat globale të tregtisë përmes vendosjes së taksave miliardëshe ndaj Kinës.

Ndaj këtij vlerësimi reagoi Uashingtoni, duke thënë se taksat e vendosura dy vjet më parë me vlerë të mbi 200 miliardë dollarëve ndaj mallrave kineze ishin të arsyeshme për shkak se Kina ishte duke vjedhur prona intelektuale dhe duke i detyruar kompanitë amerikane që ta transferojnë teknologjinë për qasje në tregjet e Kinës.

Megjithatë, paneli me tre anëtarë i kësaj organizate tha se veprimi i Shteteve të Bashkuara i ka thyer rregullat e tregtisë për shkak se masat vlenin vetëm për Kinën dhe taksat ishin mbi maksimumin e lejuar sipas marrëveshjeve.

“Raporti i këtij paneli e vërteton atë që administrata Trump e ka thënë për katër vjet – Organizata Botërore e Tregtisë është tërësisht jo e duhura për t’i ndaluar praktikat e dëmshme teknologjike të Kinës”, tha përfaqësuesi i ShBA-së për tregti, Robert Lighthizer.

Në anën tjetër, Ministria e Tregtisë e Kinës tha se Pekini e përkrah sistemin shumëpalësh tregtar dhe se i ka repsektuar rregullat dhe vendimet e OBT-së, duke shpresuar se edhe Uashingtoni do të veprojë në të njëjtën mënyrë.

(Kosova Sot Online)