MPJ-ja e Kosovës takohet me atë të Izraelit, diskutohet për vizitën e parë zyrtare

  • A.P /
  • 22 October 2020 - 19:37
MPJ-ja e Kosovës takohet me atë të Izraelit, diskutohet për vizitën e parë zyrtare

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka mbajtur takimin e parë konsultativ me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë ministrja Haradinaj, teksa tha se në takim u diskutuan detajet për vënien e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

“Kisha nderin të hap takimin e parë zyrtar konsultativ ndërmjet Drejtorive të Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, në të cilin u diskutua për detajet e vendosjes së Marrëdhënieve Diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, gadishmërinë për ndërtimin e marrëdhënieve të plota në të gjitha fushat, si dhe për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thuhet në postimin e ministres.

Ndërkaq, tutje thuhet se u diskutua edhe lidhur me “vizitën e parë zyrtare në Shtetin e Izraelit të delegacionit të Republikës së Kosovës në muajin e ardhshëm”.

Marrëveshja ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e finalizuar në Uashington, ka rezultuar në njohje diplomatike të Kosovës dhe Izraelit. 

(Kosova Sot Online)