Ministri gjerman tregon sa mund të shkojë numri i rasteve ditore me Covid-19 deri në fund të javës

  • E.K /
  • 27 October 2020 - 11:59
Ministri gjerman tregon sa mund të shkojë numri i rasteve ditore me Covid-19 deri në fund të javës

Ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmaier, ka thënë se numri i rasteve ditore të koronavirusit në Gjermani ka gjasë të shkojë në 20.000 në fund të kësaj jave.

“Ne jemi duke u përballë me rritje eksponenciale. Në Gjermani, numri i infeksioneve të reja, është duke u rritur për 70-75 për qind në krahasim me javën e kaluar”, tha ministri Altmaier.

Parashikimi i tij tregon që Gjermania është duke u përballur me një rritje më të shpejtë të përhapjes së virusit sesa ishte pritur më parë. Në fund të shtatorit, kancelarja Merkel kishte deklaruar se për Krishtlindje, që janë në fund të dhjetorit, numri i rasteve ditore mund të shkojë në 19.200.

Shefja e qeverisë qendrore të Gjermanisë do të takohet të mërkurën me kryeministrat rajonalë të 16 republikave për të vendosur rreth masave të reja kufizuese, shkruan The Guardian.

Gazeta Bild raportoi se kancelarja gjermane është duke planifikuar një mbyllje të lehtë, e cila do të përqendrohet kryesisht te mbyllja e bareve dhe restoranteve.

Altmaier tha se shtimi i rasteve në mbarë Evropën dhe masat kufizuese në jetën e përditshme do ta vështirësojnë rritjen ekonomike aq shpejt sa është pritur më parë. Megjithatë, ai nuk pret që të ketë pengesa në zinxhirin furnizues, siç kishte ndodhur gjatë valës së parë të pandemisë në pranverë.

(Kosova Sot Online)