Naser Osmani dhe asistenti i Bujar Bukoshit dënohen me nga tri vjet burg për Fondin e trepërqindëshit

  • G.G /
  • 11 November 2020 - 11:15
Naser Osmani dhe asistenti i Bujar Bukoshit dënohen me nga tri vjet burg për Fondin e trepërqindëshit

Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për Fondin e trepërqindëshit.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Gjykata ka bërë me dije se Osmani dhe Gashi janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) viteve për secilin veç e veç.

Përveç dënimit me burgim, ata në emër të dëmit të shkaktuar do t’i kthejnë 154 mijë e 132 euro në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Sipas Gjykatës, Osmani dhe Gashi së bashku me Bujar Bukoshin për të cilin është veçuar procedura, në vazhdimësi, gjatë periudhës kohore 2006 deri në vitin 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme kishin përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave të tjerë, e cila iu është besuar atyre, qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe vendeve të tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë se Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimumi 3% të të hyrave të tyre personale mujore, ashtu që kishin tërhequr shumën prej 154, 132.47 euro, në kesh dhe nuk kishin arsyetuar dhe dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume.

(Kosova Sot Online)