Seanca e nxehtë në Kushtetuese për fatin e Qeverisë Hoti: Cili do të jetë vendimi!

  • A.P /
  • 18 November 2020 - 15:47
Seanca e nxehtë në Kushtetuese për fatin e Qeverisë Hoti: Cili do të jetë vendimi!

Fati i Qeverisë do të vendoset me 2 dhjetor. Gjykatësit e Kushtetueses në një seancë publike pasi që t’i dëgjojnë palët do të interpretojnë  ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, që i dënuar me vendim të prerë e dha votën e tij pro ekzekutivit në krye me Avdullah Hotin. Palët nuk i kanë marrë ende ftesat nga Gjykata.

Ka gjashtë vite që Kushtetuesja nuk ka pasur seancë publike të rëndësishme si ajo që do të mbahet me datë 2 dhjetor.

Pas seancës që vulosi fatin e koalicionit VLAN, Gjykatësit e Kushtetueses do të vendosin nëse Qeveria në krye me Avdullah Hotin është zgjedhur në mënyrë jolegjitime.

Nga ky institucion i kanë konfirmuar se në fillim të dhjetorit do të mbahet seanca publike, e kanë treguar se një opinion për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi do ta jep edhe Komisioni i Venecias.

Pavarësisht se seanca do të mbahet në fillim të muajit që vjen e një gjë të tillë e kanë konfirmuar nga GJK-ja, palët nuk i kanë marrë ende ftesat për këtë seancë.

Në partinë e Albin Kurtit që pas votimit të Qeverisë Hoti ishin drejtuar në Kushtetuese për interpretimin e ligjshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi, kanë thënë se deri më tani nuk kanë marrë ftesë apo konfirmim për këtë seancë.

“Deri më tani mund të ju konfirmojmë se nuk kemi marrë as konfirmim as ftesë për këtë seancë”, ka deklaruar zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu.

Ftesë nuk kanë marrë as në Qeverinë e Kosovës. Nga ekzekutivi i kanë thënë Expressit se për këtë çështje do të njoftojnë me kohë, nëse do të ketë ndonjë zhvillim.

“Në zyrën e Kryeministrit (në momentin që ne po komunikojmë) nuk ka arritur asnjë ftesë nga Gjykata Kushtetuese për seancën të cilës po i referoheni ju. Do t’iu njoftojmë me kohë për të gjitha zhvillimet në këtë temë”, thonë nga Zyra e kryeministrit.

Megjithatë, në PDK thonë se do të marrin pjesë në këtë seancë, e kush do ta përfaqësojë subjektin do të vendosin në ditët e ardhshme.

“PDK respekton vendimet e GJK dhe autoritetin e saj! Do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për pjesëmarrje! Sa i përket emrit, do të caktohet në ditët e ardhshme”, ka thënë, Bashmir Xhemaj, drejtor i zyrës për komunikim në PDK.

Për këtë seancë palët e përfshira do të njoftohen jo më vonë se dy javë para mbajtës së saj. Palët do të ftohen në seancën dëgjimore nëpërmjet një njoftimi me shkrim që u dërgohet nga Sekretariati, derisa njoftimi përmban datën, kohën dhe vendin e mbajtjes së seancës.

Pse seancë publike për rrëzimin ose jo të Qeverisë?

Seancat publike nuk praktikohen shpesh nga gjykatësit e Kushtetuesës. Megjithatë, kësaj radhe, ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje do të mbahet në seancë dëgjimore publike e do të dëgjohen palët e përfshira.

Njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj ka treguar  se kur vendoset që të thirret një seancë e tillë.

“Gjykata Kushtetuese varësisht se si e vlerëson mundet që raste të caktuara të mbajë dëgjime publike ku fton palët e autorizuara për të mbrojtur dhe paraqitur qëndrimet dhe argumentet juridike lidhur me çështjen në fjalë.  Në rastin konkret, që nga koha kur Kosova është anëtarësuar në Komisionin e Venecias, do të shfrytëzoj edhe ekspertizën dhe praktikën e këtij mekanizmi që është jashtëzakonisht e pasur lidhur me çështje që lidhen me demokratizimin dhe çështjet kushtetuese të shteteve anëtare”, thotë Miftaraj duke shtuar se Kushtetuesja në rasin konkret do ta ketë bazë Kushtetutën e vendit.

“Sidoqoftë, Gjykata Kushtetuese në rasti  konkret bazament do ta ketë Kushtetutën e Kosovës, praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese dhe praktikën e Kuvendit të Kosovës lidhur me marrjen e mandatit të deputetit në rastet kur të njëjtit dënohen me dënime të plotëfuqishme dhe që lidhen me legjislaturën e caktuar”, ka thënë ai.

Shumë prej vendimeve me rëndësi për shtetin janë marrë në seanca të mbyllura, përjashtimisht asaj kur lideri i LDK-së, Isa Mustafa ishte zgjedhur në krye të Kuvendit në vitin 2014-të.  Zgjedhja e Mustafës në këtë post ishte shpallur ndesh me Kushtetutën.

Si do të mbahet seanca?

Seancat dëgjimore  në Kushtetuese mund të mbahen në rast se Gjykata udhëron mbajtjen e tyre duke besuar se në këtë mënyrë mund të qartësohen provat.

Këto seanca janë publike përveç nëse urdhërohet ndryshe nga Gjykata, kur ka arsyetim të mirë sipas Ligjit ose sipas kësaj Rregulloreje.

Të gjitha seancat dëgjimore do të jenë të hapura për qytetarët, përveç kur Gjykata urdhëron përjashtimin e qytetarëve nga seanca, nëse një përjashtim i tillë kërkohet për sigurinë e ndonjërës nga palët ose të përfaqësuesve të tyre, apo për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike.

”Çdo pale, përfaqësuesi, dëshmitari ose pjesëmarrësi tjetër në seancë dëgjimore, sjellja e të cilit ndaj gjyqtarit ose ndaj Sekretarit të Përgjithshëm nuk është në pajtim me dinjitetin e Gjykatës, ose i cili sillet në mënyrë fyese ndaj palës tjetër apo të ndonjë përfaqësuesi të palës tjetër, mund t’i shqiptohet vërejtje nga Kryetari dhe t’i jepet mundësia të mbrojë veten. Kryetari, në konsultim me gjyqtarët, mund të urdhërojë shqiptimin e masave disiplinore, përfshirë shqiptimin e gjobës, në pajtim me normat e vendosura nga Gjykata, ose, në raste të jashtëzakonshme, përjashtimin nga seanca dëgjimore”, thuhet në rregulloren e këtij institucioni, ku bëhet e ditur gjithashtu se kryetari mund ta përjashtojë një vëzhgues nga seanca, nëse sjellja e tij/saj nuk është në pajtim me dinjitetin e Gjykatës apo nëse ai/ajo shkakton shqetësim në Gjykatë.

Seanca mund të shtyhet nga kryetari i Gjykatës nëse ndonjëra palë dëshmon se për ndonjë arsye të rëndësishme nuk mund të marrë pjesë në seancë.

Kryetari vendos nëse do të urdhërojë shtyrjen e seancës dëgjimore dhe Sekretariati i njofton palët me një vendim të tillë. Kur urdhëron shtyrjen e seancës, Kryetari mund të urdhërojë që pala, e cila ka bërë kërkesë, të paguajë shpenzimet që ajo palë ia ka shkaktuar palës tjetër ose palëve të tjera, si rezultat i kërkesës për shtyrje.

Kryetari e hap seancën dëgjimore dhe është përgjegjës për sjellën e duhur gjatë seancës. Pala që është e përfaqësuar mund t’i drejtohet Gjykatës nëpërmjet përfaqësuesit, përveç nëse gjyqtari i bën ndonjë pyetje drejtpërsëdrejti palës.

Me datë 2 dhjetor palëve të përfshira do t’i jepet mundësia që shkurtimisht t’i paraqesin argumentet e tyre përmes prezantimeve.

Ato duhet të jenë të kufizuara vetëm në fakte dhe në çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me kërkesën. Kryetari mund t’ia kufizojë secilës pale periudhën kohore të caktuar për këtë prezantim, derisa, gjatë seancës, gjyqtarët mund t’u parashtrojnë pyetje përfaqësuesve të palëve, ose drejtpërsëdrejti cilësdo palë.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore, Gjykata do të tërhiqet për këshillim. Të njëjtat mbeten konfidenciale, derisa, merret vendim për rastin dhe përgatitet projektvendimi i Gjykatës.

Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit,Vetëvendosjen, e cila ishte rrëzuar nga pushteti, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjëve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Për këtë arsye nga LVV-ja ishin drejtuar për interpretim në Kushtetuese. Cilido vendim i këtij organi mund të sjellë një situatë të re politike në vend.

(Kosova Sot Online)