Kush është shefi i AKI-së që e shkarkoi Avdullah Hoti

  • E.K /
  • 17 December 2020 - 15:14
Kush është shefi i AKI-së që e shkarkoi Avdullah Hoti

Kreshnik Gashi nuk do të jetë më drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Rreth një vit pas emërimit të tij, atë e ka shkarkuar kryeministri Avdullah Hoti.

Më 25 nëntor të vitit 2019, Kreshnik Gashi ishte emëruar në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë përmes një bashkëpunimi ndërmjet atëherë kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj dhe ish-presidentit Hashim Thaçi, kur Albin Kurti po priste të bëhej kryeministër, pasi partia e tij kishte dalur e para në zgjedhjet e 6 tetorit. Ndonëse jo në një nivel të tillë, edhe para se të emërohej në krye të inteligjencës, Gashi kishte mbajtur pozita të larta institucionale në sektorin publik.

Nga fillimi i vitit 2016, ka qenë kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, gjatë së cilës kohë Kosova ka marrë kodin e telefonisë 383 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve. Ai ka udhëhequr ekipin profesional teknik në dialogun e Brukselit.

Para se të zgjidhej në krye të bordit të ARKEP ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. Më herët ka qenë zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil si dhe më parë e ka udhëhequr komisionin e përhershëm qeveritar për sigurinë e hetimeve të aviacionit pranë Zyrës së Kryeministrit.

Ai ka pasur përvojë edhe në konsulenca për komisione ndërqeveritare në analiza dhe projekte të pjesëmarrjes së sektorit privat në atë publik. Ka punuar edhe si ekspert i qeverisjes lokale në projekte të BE-së. Gashi ka menaxhuar disa projekte private në fushën e teknologjisë informative.

Tani ish-shefi i AKI-së kishte marrë pjesë në shumë forume, konferenca dhe takime të nivelit ndërkombëtar, si takimi i parë i të rinjve udhëheqës të Kosovës dhe Serbisë, organizuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe Instituti Amerikan për Paqe, pjesëmarrës në forumin e të rinjve të Evropës dhe Azisë, etj.

Ai kishte studiuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës dhe kishte magjistruar në Universitetin Cranfield në Britaninë e Madhe.

Emërimi i Gashit në krye të inteligjencës së shtetit kishte ardhur pak ditë pasi Ramush Haradinaj kishte pranuar dorëheqjen e Shpend Maxhunit nga pozita e njëjtë. Haradinaj kishte pohuar se Maxhuni ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore.

Haradinaj ishte kritikuar për këtë vendim, i cili ishte marrë pak pas zgjedhjeve të 6 tetorit dhe ishte një nga vendimet e tij të fundit të tij si kryeministër.

Ndër reagimet e para ishte ai i Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që kishte dalë e para në zgjedhje dhe së bashku me LDK-në dhe synon ta formonin qeverinë e re të Kosovës. Kjo parti shprehej se emërimet në AKI në atë periudhë ishin të jashtëligjhme dhe se rastin do ta dërgonin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Propozimi nga Haradinaj dhe dekretimi nga Thaçi për të dy këto pozicione është përveç të tjerave dhe antikushtetues. Në dy drejtime, sepse ish-kryeministri s’mund ta ushtrojë këtë kompetencë e Presidenti s’mund të dekretojë propozime nga një ish-kryeministër. Propozimet janë po ashtu emërime politike. I pari, ish-vartës i Hashim Thaçit në MPJ, u emërua si drejtor i AKI-së pasi dështoi t’i mbrojë numrat e Z-mobile nga pozitat e drejtorit të bordit të ARKEP-it. I dyti u emërua kryeinspektor pasi dështoi të bëhej deputet i AAK-së, i cili mbahet mend për ankesat e tij rreth vjedhjes së votave që iu bënë nga brenda subjektit të tij. Duket se ky emërim ishte dhe rehatimi i tij”, thuhet në një njoftim të LVV-së.

Ndërkohë, reagime pati edhe nga shoqëria civile. Instituti kosovar për Drejtësi, IKD, që vazhdimisht monitoron ëështjet gjyqësore dhe juridike, konstaton se vendimi i sotëm i kryeministrit në largim, për emërimin e të parit të AKI-së është i jashtëligjshëm. Ehat Miftaraj nga IKD, i tha DW-së “Qeveria në largim nuk ka legjitimitet që të bëjë këto emërime.

(Kosova Sot Online)