Kjo është gjendja shëndetësore e policit që u plagos sot në Prishtinë

  • E.K /
  • 18 December 2020 - 08:51
Kjo është gjendja shëndetësore e policit që u plagos sot në Prishtinë

Në një përleshje me armë zjarri me disa hajna që po tentonin të kryenin një grabitje në një bankomat në Prishtinë mëngjesin e së premtes është plagosur një polic.

I njëjti është dërguar menjëherë për trajtim në QKUK.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka dhënë detaje për rastin në një lidhje direkte në emision.

Hoxha ka thënë se polici në fjalë është plagosur në këmbë, e se janë duke pritur që të marrin informacione të mëtejshme për gjendjen e tij shëndetësore.

Si ka ndodhur rasti kanë treguar edhe në Policinë e Kosovës, rajoni i Prishtinës.

“Rreth orës 05:30 është pranuar informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë.

Me të marrë informatën, policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit, për t’iu shmangur kapjes nga policia, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë dhe për pasojë  kanë plagosur një zyrtar policor, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Aktualisht  policia është në vendin e ngjarjes dhe po i kryen ekzaminimet e nevojshme si dhe po i ndërmerr të gjitha masat policore për një hetim të detajuar  me fokus identifikimin e të dyshuarve, lokalizimin e vendndodhjes së tyre si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë zëdhënësi i PK-së në Prishtinë, Agron Borovci.

Momentalisht rruga drejt Veternikut është bllokuar dhe forca të shumta të policisë janë parë në atë pjesë.

(Kosova Sot Online)