Izraeli e godet Gazën si kundërpërgjigje ndaj sulmeve me raketa

  • E.K /
  • 26 December 2020 - 13:51
 Izraeli e godet Gazën si kundërpërgjigje ndaj sulmeve me raketa

Ushtria e Izraelit i ka sulmuar disa lokacione në Gaza pasi autoritetet thanë se militantët palestinezë kanë hedhur raketa në pjesën jugore të vendit.

Forca Izraelite e Mbrojtjes tha se aeroplani izraelit ka goditur tri caqe të Hamasit, përfshirë një fabrikë për prodhimin e raketave dhe një pikë ushtarake, shkruan The Guardian.

“Hamasi do të përballet me pasojat për tërë terrorin që buron nga Gaza”, thuhet në postimin e forcave izraelite në rrjetet sociale.

Mediet palestineze raportuan se nga sulmet ajrore u thyen xhamat e dritareve në pjesën lindore të qytetit Gaza. Nuk pati raportime për pasoja në njerëz.

Në anën tjetër, ushtria izraelite tha përmes një deklarate se në qytetin Ashkelon janë aktivizuar sirenat e alarmit për shkak të hedhjes së dy raketave në drejtim të territorit izraelit.

Asnjë grup palestinez në Gaza nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin me raketa. Sulmi i fundit i këtij lloji ndodhi para më shumë se një muaji, kur një raketë u hodh nga Gaza drejt Izraelit.

(Kosova Sot Online)