42 personave u jepet gabimisht Regeneron në vend të vaksinës së Moderna-s

  • E.K /
  • 01 January 2021 - 09:51
42 personave u jepet gabimisht Regeneron në vend të vaksinës së Moderna-s

Në Shtetet e Bashkuara ka filluar hulumtimi i një incidenti të çuditshëm. Mbi 40 personave u është dhënë gabimisht trajtimi Regeneron me antitrupa në vend të vaksinës së kompanisë “Moderna” kundër koronavirusit.

Rasti ndodhi në një klinikë në Virgjinian Perëndimore. Të enjten, Garda Kombëtare e Virgjinias Perëndimore tha se 42 personave u është dhënë gabimisht përzierja e antitrupave në vend të vaksinës, shkruan Daily Mail.

Zyrtarët thanë se dhënia e këtij trajtimi nuk është e dëmshme për personat që e morën atë dhe se grupit i është dhënë prioritet më pas, duke ua ofruar vaksinën e vërtetë të enjten.

Departamenti i Shëndetësisë në distriktin Boone tha se është duke punuar me Gardën Kombëtare dhe departamentin shtetëror të shëndetësisë për t’i rishikuar të gjitha procedurat dhe politikat e brendshme pas këtij rasti.

Ndryshe, Regeneroni i është dhënë më herët edhe presidentit në largim, Donald Trump, i cili në muajin tetor ishte hospitalizuar për shkak të infektimit me koronavirus.

Më pas, në nëntor, ky trajtim ishte miratuar për përdorim emergjent te personat e rritur dhe te fëmijët që janë të rrezikuar nga përkeqësimi i gjendjes nga sëmundja Covid-19.

Regeneroni zakonisht jepet në formë të infuzionit e jo në formë të vaksinës, duke e shtuar edhe më shumë habinë se si ndodhi ky gabim.

(Kosova Sot Online)