Në ShBA 4.300 persona vdesin nga Covid-19 për një ditë

  • E.K /
  • 13 January 2021 - 15:31
Në ShBA 4.300 persona vdesin nga Covid-19 për një ditë

Shtetet e Bashkuara kanë shënuar rekord të frikshëm të numrit ditor të viktimave të koronavirusit. Sipas Universitetit “Johns Hopkins”, në 24 orët e kaluara në këtë shtet u regjistruan 4.327 të vdekur nga Covid-19.

Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i viktimave të pandemisë në shtetin më të prekur në botë shkoi në 380.485, shkruan The Guardian.

Përpos mijëra të vdekurve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 215.805 raste të reja të infeksioneve. Rekordi i mëparshëm i shifrës ditore të të vdekurve u shënua vetëm para gjashtë ditëve, kur për 24 orë u shënuan 4.194 viktima.

Projekti “Covid Tracking Project” raportoi se tash për tash, në spitalet amerikane janë të hospitalizuar 131.326 pacientë me Covid-19. Kjo është dita e 42-të me radhë që numri i pacientëve është mbi 100.000.

Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se deri tani janë shpërndarë mbi 27.6 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit. Sekretari për Shëndetësi dhe Shërbime Njerëzore, Alex Azar, njoftoi për ndryshime në planin e shpërndarjes me qëllim të përshpejtimit të procesit të vaksinimit.

(Kosova Sot Online)