Limaj reagon meqë KQZ nuk e certifikoi si parti: Nisma do të tirumfojë

  • A.P /
  • 22 janar 2021 - 22:34
Limaj reagon meqë KQZ nuk e certifikoi si parti: Nisma do të tirumfojë

Kreu i Nismas, Fatmir Limaj, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në facebook, ka shprehur indinjatën e tij për moscertifikimin e partisë së tij nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Limaj ka akuzuar KQZ’në duke thënë se kjo e fundit është shndërruar në një lojtar politik aktiv. Madje Limaj tha se edhe më parë Nisma është dëmtuar në zgjedhjet e 2019’tës.

Edhe pse partia e tij nuk u certifikua nga KQZ, Limaj tha se padyshim që në hapat e ardhshëm Nisma do të tirumfojë.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Limajt:

Sonte ne kemi qenë dëshmitar të një sulmi të paprecedent në partinë tone dhe në të gjithë procesin demokratik. KQZ-ja ka vendosur që të mos çertifikojë disa parti politike që të marrin pjesë në zgjedhje.

Është e qartë që ka një interes të madh që NISMA të mos jetë pjesë e parlamentit, që parlamenti i Kosovës të mos e ketë brenda një zë të qartë të UÇK-së.

Me këtë vendim, PDK dhe LDK dëshirojnë që të heshtin zërin e vlerave kombëtare dhe të trashëgimisë së UÇK-së në institucionet vendim-marrëse në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Sonte KQZ-ja është shndërruar në një lojtar politik aktiv. Përderisa deri më tani gjithmonë, anëtarët e KQZ-së kanë miratuar vendimet e zyrave profesionale siç ishte në këtë rast Zyra për Certifikim, kësaj radhe duke shpërfillë krejtësisht vendimin profesional të zyrës për çertifikim, ata vendosën që të mos e çertifikojnë NISMA Socialdemokrate.

Në raport me NISMËN Socialdemokrate kjo nuk është hera e parë që na behët padrejtësi, në zgjedhjet e vitit 2019, zyra për pranimin e votave të ardhura nga Serbia në mënyrë ilegale, kishte rekomanduar në kundërshtim me ligjin pranimin e këtyre votave, në këtë rast KQZ kishte refuzuar të marrë vendim kundër këtyre votave sepse argumenti i tyre ishte se ka ardhur rekomandimi nga zyra profesionale. Siç e din opinioni, të gjitha këto beteja ligjore NISMA Socialdemokrate i ka fituar, edhe kësaj radhe jemi të sigurt se në hapat e ardhshëm legal do të triumfojmë.

(Kosova Sot Online)