KQZ’ja pranon vendimet e PZAP’së

  • A.P /
  • 26 January 2021 - 16:31
KQZ’ja pranon vendimet e PZAP’së

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka publikuar sot vendimet lidhur me ankesat e shtatë subjekteve politike, për moscertfikimin për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Valmir Elezi zëdhënës i KQZ’së ka thënë se kanë pranuar vendimet e PZAP’së që u morën sot.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vendimet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, përmes së cilave vërtetohen vendimet e KQZ-së”, ka thënë ai.

Elezi theksoi se KQZ’ja do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP’së.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-it, pra do të presim sepse në fund të tyre ka këshilla juridike, sipas të cilave është e lejuar ankesa në Gjykatën Supreme”, ka deklaruar më tutje ai.

Gjykata Kushtetuese në dhjetor ka publikuar aktgjykimin, me të cilin e ka shpallur të vlefshme një ankesë të VV’së dhe e ka rrezuar qeverinë e Avdullah Hotit, sepse atë e kishte votuar një deputet që kishte dënim të formës së prerë.

Kushtetuesja vendosi që të bie qeveria dhe më të mos lejohen të garojnë për deputetë kandidatët që kanë dënime.

KQZ’së i janë dorëzuar të dhënat, sipas të cilave, 47 deputetë nga të gjitha subjektet, janë të dënuar në këto tri vjet.

Disa prej subjekteve kanë pranuar, duke i zëvendësuar kandidatët, por disa të tjera, si VV’ja e Nisma kanë kundërshtuar zëshëm të bëjnë një gjë të tillë. 


(Kosova Sot Online)