Kërkoi divorc, burri urdhërohet t’ia japë gruas 7.700 dollarë për punët shtëpiake

  • E.K /
  • 24 February 2021 - 08:48
Kërkoi divorc, burri urdhërohet t’ia japë gruas 7.700 dollarë për punët shtëpiake

Një gjykatë kineze për divorce ka urdhëruar një burrë që t’ia paguajë bashkëshortes së tij 7.700 dollarë si dëmshpërblim për punët e shtëpisë që ajo i ka bërë gjatë martesës 5-vjeçare.

Sipas një kodi të ri civil që hyri në fuqi muajin e kaluar, një person mund të kërkojë dëmshpërblim nga partneri ose partnerja gjatë divorcit, nëse ka qenë kujdestari kryesor i fëmijëve ose i prindërve të moshuar ose që i ka bërë shumicën e punëve të shtëpisë.

Në bazë të rregullave, shuma që dhurohet duhet të negociohet mes palëve, por nëse ato dështojnë të arrijnë marrëveshje për këtë çështje, atëherë do të vendosë vetë gjykata, shkruan The Guardian.

Gjykata në Pekin vendosi që burri me mbiemrin Chen duhet t’ia japë ish-gruas, Wang, shumën e 50.000 juanëve për shkak se nuk ka ofruar ndihmë në punët e shtëpisë.

Burri ia la edhe kujdesin ndaj fëmijës gruas dhe shkoi në punë dhe nuk është mërzitur për të marrë pjesë në asnjë lloj të punëve të shtëpisë, tha gruaja në gjykatë.

Çifti u martua në vitin 2015 por u nda tre vjet më vonë. Djali i tyre jetoi me nënën. Chen kërkoi divorc vitin e kaluar, por gruaja fillimisht ngurroi. Ajo më vonë u pajtua por kërkoi ndarje të pronës dhe dëmshpërblim financiar.

Përpos të drejtës për dëmshpërblim financiar, gruaja do ta ketë edhe të drejtën për të jetuar me djalin e vet si dhe do të paguhet nga 2.000 juanë (309 dollarë) në muaj.

(Kosova Sot Online)