Policia franceze u krenua se gjeti drogë, në fakt ishin haribo të bluar

  • G.G /
  • 20 March 2021 - 09:38
Policia franceze u krenua se gjeti drogë, në fakt ishin haribo të bluar

Këtë javë, policia në Paris njoftoi për, siç tha, një hetim të frytshëm dhe një bastisje që rezultoi në gjetjen e drogës me vlerë të tregut të rrugës prej mbi një milionë eurosh.  Në të vërtetë, doli se operacioni ishte “i frytshëm” në një mënyrë tjetër.

Burimet e afërta me këtë hetim thanë se pluhuri ngjyrë rozë në fakt s’ishte gjë tjetër pos sheqerka të bluara, shkruan BBC.

Një person i dyshuar përballet me ndjekje penale, sepse policia gjeti edhe telefona të vjedhur dhe makinë për prodhimin e pilulave të ekstazisë, raporton gazeta Le Parisien.

Megjithatë, nuk është e qartë pse sasia e konfiskuar fillimisht u raportua si drogë ilegale dhe pse sasia e madhe e sheqerkave është shndërruar në pluhur.

Operacionet e konfiskimit të drogës nganjëherë dalin të dështuara. Vitin e kaluar, një sasi që fillimisht u cilësua si sasia më e madhe e ketaminës që është konfiskuar ndonjëherë në Tajlandë doli të jetë një lloj agjenti për pastrim.

(Kosova Sot Online)