Papa Françesku kërkon që t’i jepet fund luftimeve në Izrael dhe Gaza

  • A.P /
  • 16 May 2021 - 16:12
Papa Françesku kërkon që t’i jepet fund luftimeve në Izrael dhe Gaza

Papa Françesku bëri thirrje të dielën për t’i dhënë fund konfliktit në Izrael dhe Gaza, duke thënë se vdekjet e kaq shumë njerëzve të pafajshëm ditët e fundit, përfshirë fëmijët, ishin të papranueshme.

“Unë apeloj për qetësi dhe ata që janë përgjegjës t’i japin fund përdorimit të armëve dhe të drejtohen në rrugën e paqes”, tha ai në një fjalim të përjavshëm për besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.

“Shumë njerëz të pafajshëm kanë vdekur, mes tyre ka edhe fëmijë. Kjo është e tmerrshme. E papranueshme. Vdekja e tyre është një shenjë se njerëzit nuk duan të ndërtojnë një të ardhme, por po e shkatërrojnë atë…Pyes veten se ku mund të çojë urrejtja dhe hakmarrja?”, tha Papa.

Mjekët palestinezë thonë se numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite në Gaza të dielën ka arritur në 33. Ky është numri më i madh i viktimave që nga fillimi i luftimeve.

Më 16 maj, ushtria izraelite tha se ka kryer sulme ajrore në shtëpinë e Yahya Sinëar, kreu i krahut politik të Hamasit në Rripin e Gazës. Ushtria nuk bëri të ditur nëse ai u vra.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se fushata aktuale kundër militantëve palestinezë “do të vazhdojë për aq kohë sa nevojitet” megjithatë thirrjet për qetësi nga Uashingtoni dhe Kombet e Bashkuara.


(Kosova Sot Online)