Edhe Rusia ia kthen shpinën Bjellorusisë, lejon fluturimet që e shmangin territorin e saj

  • E.K /
  • 28 May 2021 - 11:47
 Edhe Rusia ia kthen shpinën Bjellorusisë, lejon fluturimet që e shmangin territorin e saj

Rusia do t’i lejojë fluturimet evropiane që e shmangin territorin e Bjellorusisë, ndonëse Moska më herët ua ndaloi qasjen dy kompanive që nisën fluturime drejt Moskës pa kaluar nëpër qiellin e Bjellorusisë.

Rusia të enjten nuk i dha leje një fluturimi Vjenë  – Moskë të kompanisë “Austrian Airlines”, një ditë pasi nuk e kishte miratuar as fluturimin e kompanisë “Air France” nga Parisi në Moskë. Të dyja fluturimet u anuluan, shkruan Reuters.

Sidoqoftë, Rusia të premten e lejoi fluturimin Vjenë – Moskë që e shmangte qiellin e Bjellorusisë, citohet të ketë thënë kompania “Austrian Airlines”, dhe të enjten lejoi fluturime tjera ndërkombëtare.

Refuzimi i disa fluturimeve që e shmangnin qiellin bjellorus nxiti spekulime se Moska mund të vendosë ndalim të të gjitha fluturimeve për ta përkrahur Bjellorusinë, që e cilëson aleate të ngushtë.

Megjithatë, faqja RBC, duke cituar një burim të ngushtë me Ministrinë e Transportit, tha se Rusia së shpejti do t’i autorizojë fluturimet për në Moskë dhe nga Moska, edhe nëse ato e anashkalojnë hapësirën ajrore të Bjellorusisë.

(Kosova Sot Online)