Kadri Veseli sot feston ditëlindjen

  • E.K /
  • 31 maj 2021 - 08:23
Kadri Veseli sot feston ditëlindjen

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli feston sot ditëlindjen.

Kadri Veseli ka mbushur sot 54 vite, ndërsa, kjo është ditëlindja e parë që ai po e kalon në Hagë, pas arrestimit nga Specialja në vitin e kaluar.

Ai u  lind më 31 maj të vitit 1967 në Mitrovicë. Shkollimin fillor e kreu në shkollën “Ismail Qemali” në Bair të Mitrovicës.

Në vitin 1990 filloi studimet në Prishtinë, në Fakultetin e Bujqësisë si dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.

Për shkak të rrethanave politike Kadri Veseli pjesën e mbetur të studimeve nga Universiteti i Prishtinës, e vazhdon në Universitetin e Tiranës, në degën e Agronomisë. Ndërkaq pas vitit 1999, ai ka vazhduar formimin e tij profesional në “MBA in General Management”

Aktivitetin atdhetar dhe politik ai e nisi si student më 1988-1989, në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK-më vonë LPK) duke u bërë njëri prej organizatorëve të protestave dhe demonstratave që zhvilloheshin në atë kohë kundër sistemit serb dhe jugosllav që ushtronte dhunë mbi popullin shqiptar dhe dhunonte të drejtat nacionale dhe njerëzore të shqiptarëve.

Prej vitit 1993 deri më 1998, Kadri Veseli bashkërendon aktivitetet rreth luftës së armatosur që nga Zvicra, Shqipëria, zona e Dukagjinit, Drenica, Pashtriku etj.

Në këtë kohë ai emërohet komandat i Shërbimit të Zbulim Kundërzbulimit (G-2) të UÇK-së, përgjegjësi të cilën do ta ushtrojë deri në përfundim të luftës.

Pas çlirimit të Kosovës (12 qershor 1999), krahas njësiteve të tjera të UÇK-së edhe shërbimi i Zbulim Kundërzbulimit (G-2), vendoset në Prishtinë për ta vazhduar misionin në rrethana të reja.

Në kushtet e paqes shërbimi ushtarak i Zbulim Kundërzbulimit doemos duhej të transformohej në shërbim të inteligjencës. Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) u shua vetëm pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008.

Në fund të viti 2012, Kadri Veseli anëtarësohet në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke iu nënshtruar procedurave të zgjedhjeve dhe në Konventën VI të PDK-së që u mbajt më 27 janar të vitit 2013 ai mori votat e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm për t’u bërë zëvendëskryetar u kësaj partie.

Veseli u votua Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës më 8 dhjetor 2014. Ai u emërua në krye të PDK-së, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, i cili e liroi postin për shkak të detyrimeve kushtetuese, për të marrë postin e Presidentit të Republikes se Kosovës.

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, Veseli u rizgjodh si Kryetar i Kuvendit më 7 shtator 2017.

(Kosova Sot Online)