Shqiptarja e feston fitoren e Zvicrës në Bern, polici zviceran i thotë se e ka gabuar flamurin

  • A.P /
  • 30 June 2021 - 17:00
Shqiptarja e feston fitoren e Zvicrës në Bern, polici zviceran i thotë se e ka gabuar flamurin

Pas ndeshjes mes Zvicrës dhe Francës, një vajzë e re e mbështjellë me flamurin e Shqipërisë u befasua kur një polic përmes megafonit i tha asaj se e ka vendosur flamurin e gabuar përreth supeve. Videoja aktualisht po bëhet virale.

Në Basel, Bern, Winterthur dhe Cyrih, megjithë reshjet e shiut, festimet vazhduan deri në mëngjesin e së martës pas triumfit më të madh në historinë e futbollit zviceran. Tifozë të shumtë u mblodhën nëpër rrugë. Njëra prej tyre ishte një vajzë e re e cila e kaloi rrugën afër Bubenbergplatz të Bernit në orët e hershme të mëngjesit të së martës. Aty dëgjohet një zë nga një megafon i Policiës.

“Ky është flamuri i gabuar për sonte”, i tha një polic asaj. 

Vajza kthehet kah polici dhe e shikon. Polici vazhdon: “Mirupafshim, vazhdo të ecësh”. Ajo iu bind urdhrit, por nuk mund të mos e tregonte me krenari sërish flamurin kuq e zi teksa po largohej.

Ekipi zviceran i futbollit është një grup multietnik lojtarësh. Familjet e të dy golashënuesve në ndeshjen e Francës vijnë nga Bosnja e Hercegovina. Breel Embolo dhe Yvon Mvogo kanë lindur në Kamerun, ndërsa përveç Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës, zakonisht jo pak lojtarë të kësaj kombëtareje i kanë rrënjët në Kosovë e Shqipëri.

(Kosova Sot Online)