Kosova dhe Shqipëria përplasen në distancë për idenë e “Open Balkan”

  • E.K /
  • 13 August 2021 - 07:52
 Kosova dhe Shqipëria përplasen në distancë për idenë e “Open Balkan”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe disa nga udhëheqësit politikë në Kosovë si të partive në pushtet edhe atyre në opozitë po vazhdojnë përplasjen në distancë rreth idesë për një Ballkan të hapur, apo siҫ njihet tashmë “Open Balkan”.

Në një postim të gjatë në Facebook, kryeministri shqiptar Edi Rama duke ju përgjigjur shumë komentuesve nga Kosova, të cilët e akuzuan për siҫ thonë “afërsinë e tij me Vuçiqin”, veç të tjerash shkroi edhe për refuzimin e Kosovës që të jetë pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur”, që deri disa javë më parë njihej si mini-Shengeni Ballkanik.

Rama mbron idenë e Open Balkan

Rama shkroi se kjo retorikë nuk i shërben Kosovës dhe diplomacisë së saj.

“Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb europian që përkatësinë e vet e ka në Europën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot, ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve “nuk u han luli” për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan”, tha kryeministri Rama. E për mbështetjen e perendimit për “Open Balkan”, Rama i referohet edhe qeverisë gjermane duke thënë hapur “qeveria gjermane e mbështetë këtë nismë”.

Rama iu përgjigjet kritikëve, se “nuk jam tradhtar, por nuk heq dorë nga ‘Ballkani i Hapur'”.

Kundërshtime nga Kosova

Bashkëpunimin rajonal e duan të gjitha palët, por procesin e Open Balkan Kosova e kundërshton.

Iniciativën për “Open Balkan”, deri tani e përkrahin vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e refuzoi bashkimin me këtë nismë, duke e cilësuar devijim të rrugës së Kosovës drejt BE-së.

“Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit, në ndërkohë të “mini-Shengenit”, e tash e “Ballkanit të Hapur”, e konsiderojmë si të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja se kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët si rajon, drejt BE-së dhe përçimin e këtij mesazhi ne e konsiderojmë se është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë, gjatë procesit tonë të integrimit”, ka thënë ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Edhe kryetarja e Grupit Parlamentar e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se “të gjitha partitë në Kosovë kanë shprehur kundërshtitë e tyre për iniciativën “Ballkani i Hapur” (Open Balkans), pasi sipas saj, kjo nismë është e “dëmshme” për faktin se Serbia është bosht i kësaj iniciative.

“Për ne, absolutisht ka qenë një proces që prej fillimit nuk është mbështetur dhe e kemi konsideruar si një proces, e para paralel dhe e dyta të dëmshëm në momentin kur Serbia bëhet bosht i një iniciative, siç është rasti i ‘mini-Shengenit’ dhe (tani) ‘Open Balkan’”, tha Mimoza Kusari-Lila pas një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Marrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, 4 shtator 2020

Kosova ka premtuar, se do t’i bashkohej, “mini-Shengenit” në Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, marrëveshje kjo, e cila në dy dokumente të ndara u nënshkrua në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Në Kuvendin e Kosovës, më 6 gusht, nuk u miratua një rezolutë ku i kërkohej Qeverisë së Kosovës që të zbatonte Marrëveshjen e Uashingtonit. Gjatë votimit për këtë rezolutë, që sipas ligjeve në Kosovë, nuk janë detyruese, por shprehin vullnetin politik, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që është në pushtet abstenuan.

Ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Më 29 korrik 2021, në një forum ekonomik që u mbajt në Shkup, kësaj nisme ju ndryshua emri në “Open Balkan” dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj iniciative./dw/