Vetëm dy shtretër të lirë për pacientët me COVID-19 në Pulmologji

  • A.P /
  • 31 August 2021 - 18:00
Vetëm dy shtretër të lirë për pacientët me COVID-19 në Pulmologji

Vetëm edhe dy vende të lira i ka klinika e Pulmologjisë për qytetarët e infektuar me COVID-19, të cilët kanë nevojë për hospitalizim.

Drejtori i Klinikës së Pulmologjisëe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Musa Hoxha, ka thënë se në klinikë i kanë të shtrirë 87 pacientë pozitiv me COVID-19.

Ai është shprehur se pacientët tjerë që kërkojnë hospitalizim atje, i referojnë për në klinikat tjera.

“Numri i pacientëve sot ka qenë 87, të gjithë kanë qenë COVID pozitiv dhe kemi pasur dy vende të lira. Në SHSKUK në çdo mëngjes mbahet komiteti për pandemi dhe vazhdimisht krijohen hapësira të reja. Edhe sot hapësirat janë bërë në Mjekësisë Sportive II me 100 shtretër tjerë, prapë planet janë duke u zhvilluar. Sa i përket Pulmologjisë i kemi vendet thuajse të limituara, ne vetëm e dimë se ku kanë me shku pacientët në rast se jemi pa asnjë vend”, ka thënë ai.

Hoxha ka deklaruar se varianti Delta i COVID-19 është më agresiv dhe përhapet shumë më shpejt.

Ai ka thënë se ky variant është përhapur të moshat mesatare, të cilat kanë qenë të pavaksinuara.

“Është virus i cili është shumë më agresiv, është shumë më kontagjioz për shkak se ka aftësinë shumë më të madhe të përhapjes dhe bartjes së infektimit në rrethinë, dhe në rast të mbledhjeve dhe grupeve të mëdha, nëse është prezent ky virus, shumë shpejt bartet dhe përhapet, sidomos te rastet që nuk janë të vaksinuara. Andaj ky virus është paraqitur sidomos te moshat mesatare, te to mosha që i ka zënë të pavaksinuara”, ka shtuar ai.

Hoxha u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen në mënyrë që të mbrohen nga ky virus.

(Kosova Sot Online)