Krejt Kosova duan të bëhen mjekë, e pak ndërtimtarë: Statistika interesante të studentëve dhe degët që ata zgjodhën në UP

  • G.G /
  • 01 October 2021 - 13:16
Krejt Kosova duan të bëhen mjekë, e pak ndërtimtarë: Statistika interesante të studentëve dhe degët që ata zgjodhën në UP

Entuziazmi dhe dëshira e të rinjve kosovarë për të kryer studimet në Universitete publike sa shkon e po zbehet. Kjo vërehet qartë edhe përmes numrit të kandidatëve për tu regjistruar në Universitetin Publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Madje edhe statistikat e numrit të aplikantëve sipas fakulteteve janë mjaftë interesante.

Shumica e të rinjve kosovarë sipas statistikave, duan të bëhen mjekë, derisa më së paku janë të interesuar për të studiuar ndërtimtarinë.

Në vitin akademik 2021/2022 në gjithsej 14 njësi akademike të akredituara është hapur konkursi për 6247 vende për studime të rregullta, numër i cili, megjithatë nuk  mundi të plotësohet në afatin e parë, duke lënë bosh 2705 vende.

E krejt kjo për faktin që interesimi i  të rinjve që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në UP ka rënë në mënyrë drastike, krahasuar me vitet paraprake.

Sipas të dhënave, nga ky Universiteti i Prishtinës në konkursin e parë të hapur më 6 gusht për pranim të studentëve të rinj në studimet bachelor, për vitin akademik 2021/22 është 7 741.

Në vitin paraprak, (2020/21) për pranim në studimet themelore në UP kishin aplikuar gjithsej 8,364 studentë, ndërkaq, para dy vitesh (2019/20) kishim aplikuar mbi 9.379 kandidatë.

Ky trend  i rënies së aplikantëve sivjet u vërejt të paktën në tri universitete publike në Kosovë, derisa sipas ekspertëve arsyet variojnë që nga migrimi dhe çështjet teknike, por jo vetëm, një prej arsyeve janë edhe kolegjet private.

Eksperti i çështjeve arsimore, Rinor Qehaja, në një prononcim për Syri.net Kosova, thotë se arsyeja e këtij fenomeni mund të jetë nga ato demografike të uljes së numrit të nxënësve deri tek vetëdijesimit më të rritur të studenteve për studime më cilësore me kushte më të favorshme të studimit duke orientuar një numër më të madh tek kolegjet private qysh në afatin e parë.

“Duhet të analizohen me saktësi arsyet e uljes së interesimit të studenteve për shkollimin universitare në universitete publike – dështimi në rekrutim të studentëve paraqet përgjegjësi për menaxhmentin e universiteteve publike.  Arsyet mund të jenë të ndryshme nga ato demografike të uljes së numrit të nxënësve; uljes së trendit të studimeve nga studentet e diplomuar të shkollave profesionale; deri tek vetëdijësimit më të rritur të studenteve për studime më cilësore me kushte më të favorshme të studimit duke orientuar një numër më të madh tek privatet qysh në afatin e parë”, shprehet Qehaja.

Edhe, dekani i Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli, rendit disa prej arsyeve që çojnë deri tek ky trend aktual.

“Përgjithësisht ka një rënie të caktuar të interesimit të të rinjve për të studiuar. Kjo i atribuohet shumë faktorëve. Para 20 vitesh Kosova kishtë përqindjen më të ulët në Europë të të arsimuarve me arsim të lartë, ndërkohë që tashmë jemi ndoshta me përqindjen më të lartë të tillë. Vetëm ky fakt, që liberalizimi i arsimit të lartë, që parimisht ishte gjëja e duhur, është bërë pa një studim të detajuar të kapaciteteve kadrovike, infrastrukturore, të nevojave të tregut të punës, etj, si dhe ka ndodhur akreditim i institucioneve / programeve të arsimit të lartë, të cilët jo domosdoshmërisht kanë pasur relevancën e duhur në përputhje me nevojat e shoqërisë. Këta faktorë, bashkë me rënien e natalitetit, migrimin, ngopjen e tregut dhe kërkesat në rritje të kandidat - studentëve për të studiuar jashtë, janë ndikuesit kryesorë për këtë numër aplikimesh”, shprehet Bërxulli.

E një prej ndikuesve sipas tij është janë edhe kolegjet private.

“Këto arsye variojnë nga motivet personale deri tek fakti, që vlera e diplomës de jure është e barabartë në treg, edhe pse këtu kemi të bëjmë me dy nivele dhe emërtime institucionale të ndryshme: 'universitet' dhe 'kolegj universitar'. Ndoshta ka ardhur koha, që reforma në rang kombëtar të kapë edhe këto aspekte të arsimit të lartë dhe jo vetëm”, nënvizoi ai. 

Njëjtë mendon edhe Qehaja i cili thotë se një konkurrencë e mirë mes publikut dhe privatit do të rriste cilësinë e studimeve në interes të studentëve.

“Besoj shumë që një konkurrencë e mirë mes publikut dhe privatit do të rriste cilësinë e studimeve në interes të studentëve, kjo, është duke marr kuptim nga viti në vit - studentët janë më të vetëdijshëm për ofertën e institucioneve të arsimit të lartë, dhe përzgjedhja e tyre ka për bazë këtë ofertë. Institucionet publike të arsimit të lartë kanë komoditetin e financimit publik mirëpo gjykojmë që kjo duhet të jetë subjekt i performances së tyre, përfshirë numrin e studentëve të rekrutuar”, shprehet ai.

Syri.net Kosova ka kontaktuar edhe me rektoratin e UP-së në lidhje me këtë çështje, megjithatë të njëjtit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të redaksisë.

Më poshtë gjeni 14 njësitë akademike me numrin e aplikantëve:

Fakulteti i mjekësisë – 1841 aplikantë

Fakulteti i Filologjisë -868 aplikantë

Fakultëti Filozofik-626 aplikantë

Fakulteti Ekonomik- 594 aplikantë

Fakulteti Juridik-577 aplikantë

FIEK-  524 aplikantë

Fakulteti i Edukimit - 467 aplikantë

FShMN- 275 aplikantë

Fakulteti i arteve- 218 aplikantë

FEFS -210 aplikantë

Fakulteti i Bujqësisë- 164 aplikantë

Fakulteti i Arkitekturës -144 aplikantë

FIM- 133 aplikantë

Fakulteti i Ndërtimtarisë -129 aplikantë

(Kosova Sot Online)