Sot mblidhet Këshilli i Sigurimit të OKB-së për Kosovën, përballen Osmani dhe Selakoviq

  • G.G /
  • 15 October 2021 - 08:29
Sot mblidhet Këshilli i Sigurimit të OKB-së për Kosovën, përballen Osmani dhe Selakoviq

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) do të shqyrtojë raportin e rregullt gjashtëmujor për Kosovën, ku do të diskutohet edhe për situatën në Veri të vendit.

Pritet të ketë akuza dhe kundër akuza mes Kosovës dhe Serbisë dhe aleatëve të të dyja vendeve lidhur me ngjarjet e shtatorit dhe tetorit në Veri, pas prezantimit të raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së nga shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin.

Ndërsa Tanin ka deklaruar se raporti i ri është i fokusuar në reformën qeveritare, sundimin e ligjit, çështjet e sigurisë dhe situatën me pandeminë e COVID-19.

Kurse Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën ka udhëtuar për në New York për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi që Kosova aktualisht nuk ka ambasador në SHBA.

Zyra për Media e Presidencës së Kosovës, kishte njoftuar të mërkurën rreth udhëtimit të Osmanit për në SHBA.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në New York, për të marrë pjesë në takimin e radhës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportimin periodik të Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për zhvillimet në Kosovë”, thuhet nga Zyra e Presidentes.

Sipas këtij njoftimi, në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, Osmani do të paraqesë të arriturat e deritashme të shtetit të Kosovës, sfidat dhe perspektivën e vendit.

Kurse më 11 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim shefin e UNMIK-ut, Zahir Tanin.

“Tanin prezantoi në pika të shkurta përmbajtjen e raportit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që do të prezantohet në Këshillin e Sigurimit. Raporti fokusohet në reformat e qeverisë, sundimin e ligjit, çështje të sigurisë si dhe gjendjen dhe menaxhimin e pandemisë”, thuhet në njoftimin për media të Zyrë së Kryeministrit.

Ndërsa, kryeministri Kurti e ka falënderuar shefin e UNMIK-ut për njoftimin rreth raportit, ku ka ngritur disa shqetësime lidhur me pluralizmin dhe demokracinë në komunat me shumicë serbe në Kosovë, thuhet në njoftim.

Tanin kishte udhëtuar për në Beograd së paku katër dit para takimit me Kurtin, ku është takuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe me ministrin e Jashtëm serb, Nikola Selakoviç, ku i ka informuar lidhur me raportimin që do të ketë në KS.

Takimi i KS-së ishte mbajtur online për shkak të pandemisë, ku Kosova dhe Serbia kishin emra të rinj ministrash të Jashtëm, por probleme dhe qëndrime të vjetra.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla kishte filluar fjalimin me optimizmin se zgjedhjet e 14 shkurtit kanë shënuar fillimin e një epoke të re.

Ajo kishte folur me optimizëm për detyrat që Kosova ka përpara në luftimin e korrupsionit dhe kthimin e Kosovës në shtet të vërtet ligjor, duke filluar me reformën ligjore, investimet dhe vendet e punës.

Mirëpo, fjala e saj në KS ishte konsideruar skandal nga partitë opozitare dhe shoqëria civile në Kosovë, pasi që ajo kishte folur shumë rëndë për Kosovën por se  ajo ka thënë ndër të tjera se “Serbia duhet ta kuptojë se do paguajë çmimin për krimet që ka bërë”.

Por çfarë është takimi i KS-së për Kosovën?

Takimet informuese të Këshillit të Sigurimit për Kosovën mblidhen në bazë të rezolutës 1244 të vitit 1999. Sipas asaj rezolute, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, duhet të informojë rregullisht anëtarët e KS-së për aktivitetet e misionit të OKB-së në Kosovë.

Para zhvillimit të takimit, anëtarët e KS-së marrin raportin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe në bazë të tij dhe të politikës së vendit që mbulojnë përgatisin deklaratat. Raporti aktual përfshin periudhën prill 2021 – shtator 2021.

Takimi zakonisht fillon me fjalën e shefit të UNMIK-ut, që aktualisht është Zahir Tanin. Pastaj fjalën e merr përfaqësuesi i Serbisë, ministri i Jashtëm apo ambasadori pranë OKB-së.

Pas tij flet Ministri i Jashtëm i Kosovës ose ambasadori i Kosovës në SHBA, vend që e ka njohur Kosovën si shtet, ndërsa në këtë takim pritet ta merr fjalën Presidentja, Vjosa Osmani.

OKB ende nuk e njeh Kosovën si shtet, pavarësisht mbështetjes që i jep. Që ta bëjë këtë, duhet që të gjitha vendet me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të japin „PO-në”.

Nga pesë shtetet me të drejtë vetoje tre e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara (SHBA, Britania e Madhe dhe Franca), kurse dy (Rusia dhe Kina) nuk e mbështesin. Pavarësisht ndryshimit të rrethanave në Kosovë, sipas OKB-së, misioni i UNMIK-ut vazhdon të qëndroj në Kosovë për të promovuar sigurinë, stabilitetin dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

(Kosova Sot Online)