Pupovci: Inspektorati ka nis me procedura gjyqësore për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave

  • G.G /
  • 29 October 2021 - 13:45
Pupovci: Inspektorati ka nis me procedura gjyqësore për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave

Procesi i përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave në Komunën e Prishtinës është bërë në mënyrë të  jashtëligjshme, prandaj Inspektorati i Arsimit ka iniciuar procedura gjyqësore rreth kësaj çështje.

Kështu tha në një konferencë për shtyp, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Tekonologji, Dukagjin Pupovci. Sipas tij, Inspektorati ka urdhëruar Komunën e Prishtinës të mos e zbatojë vendimin që kanë marr si komunë por që një gjë të tillë ata nuk e kanë zbatuar.

Pupovci nëpërmjet kësaj konference ka kërkuar nga mësimdhënësit Gjimanzit “Sami Frashëri” në Prishtinë që të mos e bojkotojnë mësimin siç kanë bërë gjatë kësaj jave, por t’i kryejnë obligimet e tyre dhe të presin reagimin e organeve të drejtësisë.

“Tani ministria këtë proces përmes inspektoratit të arsimit e ka adresuar këtë çështje të procesit të përzgjedhjes së drejtorëve në Komunën e Prishtinës, bëhet fjalë për të gjitha shkollat ku janë përzgjedhur drejtorët dhe konstatimi i Inspektoratit është se procesi nuk është zhvilluar në mënyrë të ligjshme  për arsye të ndryshme procedural. Inspektorati ka marr vendim dhe e ka urdhëruar Drejtorin Komunale në Prishtinë që këto vendime të mos zbatohen por ato vendime janë zbatuar kështu që instrumenti që e kemi  tani në dispozicion është ndjekja e rrugës gjyqësore dhe tanimë Inspektorati ka iniciuar procedurat gjyqësore rreth kësaj çështje. Duhet ta dimë edhe një gjë, përzgjedhja e drejtorëve është kompetencë e komunës edhe atëherë kur e bënë në mënyrë të jashtëligjshme kontestimit bëhet në mënyrë ligjore. Dhe komuna tani i ka emëruar drejtorët dhe unë i ftoj drejtorët, mësimdhënësit e kësaj shkolle të gjimnazit “Sami Frashëri”  t’i kryejnë obligimet e veta dhe të presin që organet e drejtësisë ta kryejnë punën e vetë sepse zgjidhje tjetër kjo çështje nuk ka”, tha ai.

Zëvendësministri i Arsimit ka thënë se kryesisht shkeljet në këtë proces janë të natyrës procedural dhe ka përmendur disa nga to.

“ Një udhëzim administrative që parasheh që kandidatët për të drejtor duhet të intervistohen nga një Komision me tre anëtarësh që duhet ta drejtoj një përfaqësues i drejtorisë së arsimit në komunë, përfaqësuesi i dytë duhet të jetë i emëruar nga Kuvendi Komunal, ndërsa i treti nga ministria. Sipas raportit të Inspektoratit nuk është drejtuar Komisioni  nga përfaqësuesi i DKA-së, kjo është konsideruar shkelje e parë. Shkelja e dytë që nuk janë emëruar ekspertët që janë anëtar të Komisionit të zgjedhur nga Kuvendi Komunal por janë emëruar nga qeverisja komunale dhe si rezultat i kësaj përfaqësuesi i ministrisë nuk ka marr pjesë në panel. Vërejtja tjetër është se procedura nuk ka përfunduar brenda 45 ditëve ashtu siç e parasheh legjislacioni dhe krejt kjo ka bërë që inspektorati ta konsideroj  procedurën e emërimit të jashtëligjshme”, tha ai.

Gjatë kësaj konferencë për medie, zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci tha se nga e hëna procesi mësimor po zhvillohet me orar të rregullt.

“Procesi mësimor ditën e hënë është zhvilluar me orar të rregullt në 96% të shkollave ndërsa diku rreth 30 shkolla që kanë pasur nevojë për një ditë më shumë për të rregulluar oraret e tyre  janë përshtatur dhe prej ditës së martë ky proces zhvillohet  në mënyrë të rregullt në të gjitha institucionet parauniversitare të Kosovës. Ndërsa, në institucionet e arsimit të lartë procesi mësimor zhvillohet me orar të rregullt dhe prezencë dhe aty janë disa masa shtesë kërkohet në hapësirë që janë mbi 50 student të shfrytëzohet vetëm gjysma e hapësirës ”,deklaroi Pupovci.

Pupovci I pyetur lidhur me dyshimin për ngacmim seksual të një nxënësve  në një shkollë në Malishevë tha se brenda vitit të ardhshëm do synojnë hartimin e një kodi etik.

“Ka arsye të shumta që të përpilohen kode të tilla etike megjithatë mungesa e Kodit Etnik nuk mund të shfrytëzohet në asnjë rast si pretekst për shkelje të kësaj natyre në fund të fundit ngacmimi seksual është vepër penale  dhe sanksionohet me ligj që aplikohet edhe përtej kodeve etik dhe sigurisht do ta kemi parasysh nevojë për të hartuar një kod të tillë etik mendoj që kjo punë mund të kryhet gjatë vitit të ardhshëm”, u shpreh zëvendësministri i i Arsimit.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci tha se deri më 3 nëntor është i hapur edhe konkursi për bursa për studentët e universiteteve publike, ku aplikimi mund të bëhet përmes platformës E-Kosova.

(Kosova Sot Online)