Paraburgim jo më shumë se një vit, Gjykata Speciale sqaron deklaratën e Trendafilovës

  • A.P /
  • 09 November 2021 - 17:24
Paraburgim jo më shumë se një vit, Gjykata Speciale sqaron deklaratën e Trendafilovës

Një vit janë bërë këtë muaj prej kur ish-liderët politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arrestuan dhe u dërguan në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Kjo gjykatë e Kosovës në Hagë vazhdon t’i mbajë në paraburgim të akuzuarit. Atyre u është refuzuar disa herë lirimi me kusht, ndërkohë që gjykimi për shumë prej tyre nuk është as afër fillimit.

Një deklaratë e mëhershme e kryetares së kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilova u rikthye këtë muaj. Ajo kishte thënë se “paraburgimi nuk mund të zgjasë më shumë se një vit”. Shprehej se paraburgimi do të mund të zgjatej më shumë “vetëm në rrethana shumë të jashtëzakonshme”.

Angela Griep, zëdhënëse e Gjykatës Speciale, i tha  se kufizimi prej një viti i paraburgimit nuk vlen për të akuzuarit. Sipas saj, në vitin 2017, Trendafilova nuk i ishte referuar rrethanave aktuale.

“Afati një vjeçar të cilit i referoheni në Rregulla ka të bëjë me të dyshuarit dhe jo me personat e akuzuar ndaj të cilëve është konfirmuar aktakuza. Intervista e Kryetares u zhvillua në nëntor 2017, më shumë se 4 vjet më parë, përpara se DHSK-ja të niste ndonjë procedurë gjyqësore para saj. Në atë kohë, Kryetarja nuk i referohej rrethanave aktuale, ku DHSK-ja ka tetë të akuzuar në paraburgim për të cilët janë konfirmuar aktakuzat”, thotë Griep.

Ajo thekson se korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës (Gjykatës Speciale) parashikon skenarë të ndryshëm në faza të ndryshme të procedurës në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke përmendur dallimin në mes të paraburgimit të një të dyshuari dhe një të akuzuari.

Për sa kohë Prokurori i Specializuar nuk paraqet aktakuzë kundër dikujt dhe gjykatësi i procedurës paraprake s’e konfrimon atë, zëdhënësja e Speciales thotë se paraburgimi nuk mund të zgjasë mbi një vit.

“Kjo rregullohet me Rregullin 57(1) të Rregullores së Procedurës dhe Provave. Kufizimi prej një viti i paraburgimit nuk vlen për personin e akuzuar, gjegjësisht pas ngritjes së aktakuzës dhe konfirmimit nga gjyqtari i procedurës paraprake – Rregulli 57(2) i Rregullores”, thotë Griep.

Çfarë thotë Rreullorja?

Sipas Rregullores së Speciales, rishikimin e mbajtjes së një të dyshuari në paraburgim e bën gjykatësi. Kërkesa për këtë duhet të vij nga i dyshuari apo nga Prokurori i Specializuar.

“Paraburgimi sipas kësaj dispozite nuk mund të zgjasë më shumë se një (1) vit. 4Me përfundimin e kësaj periudhe, nëse gjykatësi i procedurës paraprake ende nuk është caktuar, i dyshuari lirohet nga paraburgimi”, thuhet ndër tjerash në pikën e parë të rregullit 57 të Rregullores së Procedurës dhe Provave.

Rregullorja e Procedurës dhe Provave – Rregulli 57

Çfarë kishte thënë saktësisht kryetarja e Gjykatës Speciale në Rubikon?

Në nëntor të vitit 2017, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova thoshte se për një periudhë të shkurtër kishin punuar në një kornizë ligjore e cila do t’i shërbente qëllimit të sigurisë së gjithkujt që do të paraqitej para gjykatës.

“Andaj kemi ardhur në përfundim se paraburgimi nuk mund të zgjasë më shumë se një vit”, kishte deklaruar Trendafilova në “Rubikon”.

“Pra, kushdo që akuzohet ose arrestohet nuk rri në paraburgim më shumë se një vit?”, e kishte pyetur gazetari Adriatik Kelmendi.

Trendafilova kishte pohuar.

“Po. Duhet të shqyrtohet dhe vetëm në rrethana shumë të jashtëzakonshme do të mund të zgjatet. Gjithashtu është me rëndësi që çdo të dytin muaj, apo çdo dy muaj, paraburgimi do të shqyrtohet”, deklaronte Trendafilova.

Madje ajo theksonte edhe mundësinë e vonesave gjatë procesit paragjyqësor dhe shkeljet e mundshme të të drejtave të atyre që do të silleshin para gjykatës.

“Po ashtu duhet t’u referohemi edhe vonesave gjatë procesit që në fakt shkelin edhe një të drejtë fundamentale të njeriut. Personat duhet të procedohen pa vonesa dhe më pas nëse këto vonesa ndodhin për arsye të performancës së dobët nga prokurorët, atëherë personi mund të lirohet”, kishte thënë Trendafilova, duke shpjeguar se në të tilla raste një vendim të tillë do ta merrte vetë gjykata.

Griep: Gjykatësit e respektojnë të drejtën për liri

Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, tha se në të dy skenarët e paraburgimit, rregullat parashikojnë që paraburgimi të shqyrtohet detyrimisht çdo dy muaj.

Ajo i tha se vitin e kaluar gjykatësit e kanë ndryshuar rregullin pë rishikimin e paraburgimit, duke mundësuar që kjo të nodh edhe para përfundimit të dy muajve në disa raste.

“Është shumë e rëndësishme, në vitin 2020, gjyqtarët ndryshuan rregullin 57 të Rregullores për të lejuar rishikimin e paraburgimit përpara përfundimit të dy muajve “ku ka ndodhur një ndryshim në rrethanat që nga shqyrtimi i fundit”. Kjo dëshmon respektin më të lartë të gjyqtarëve të DHSK-së për të drejtën për liri në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, shprehet Griep.

Në fund, ajo ka theksuar edhe rregullin 47 të Rregullorës së Gjykatës Speciale që parasheh se nëse Prokuroria nuk ngrit aktakuzë brenda një kohe të arsyeshme pasi dikush është bërë i dyshuar dhe është njoftuar për këtë, ai mund t’i kërkojë prokurorit t’i ndërpresë hetimet kundër tij ose saj.

(Kosova Sot Online)