Raporti që dëshmon se Shpend Ahmeti ia la 'kile' Përparim Ramës 24 projekte

  • E.K /
  • 16 November 2021 - 12:03
Raporti që dëshmon se Shpend Ahmeti ia la 'kile' Përparim Ramës 24 projekte

“S’ka cep në Prishtinë ku nuk kemi lanë shenjë”, deklaroi ditë më pare kryetari në largim i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Por Ahmeti pasardhësit të tij, Përparim Rama, ia la ‘kile’ hiq më pak se 24 projekte. Syri net Kosova iu sjel detaje.

E diela e 14 nëntorit ishte dita e fundit në cilësinë e kryetarit të Prishtinës për Shpend Ahmetin,

Kjo pasi në balotazhin e mbajtur të zgjedhjeve lokale, Prishtinën tani e tutje do ta udhëheq Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Rama kundërkandidat e kishte Arben Vitinë nga Lëvizja Vetëvendosje.

E Rama duket se nuk do ta ketë edhe shumë lehtë të filloj me realizimin e projekteve të premtuara.

Kjo pasi buxheti për vitin 2022 për këtë komunë ishte votuar ditë më pare, kohë kur me komunën udhëhiqte ish-kryetari Ahmeti.

Gjatë 2022, Rama pritet që të merret edhe me punë të cilat i kishte filluar Ahmeti, por nuk ishin kryer.

Shpend Ahmeti sipas raportit të publikuar nga Instituti GAP,  në 2017 në fushatë zgjedhore kishte bërë në total 81 premtime në fushatën zgjedhore të 2017.

Ai ka përmbushur 32 nga këto premtime, derisa 4 i ka gjysmë të përfunduara, 24 të filluara dhe 21 projekte nuk kanë filluar

24 projektet e filluara:

Ndërtimi i pesë shkollave në Prishtinë: “Sofali”, “Kalabri”, “Arbëri”, “Mati 1”, dhe në zonën “Prishtina e re”

Komuna e Prishtinës gjatë mandatit 2018-2021 ka përzgjedhur kompaninë që do të përpilojë koncept-dizajnin e shkollave, të cilin e ka fituar konzorciumi “Mazzanti”. Janë përzgjedhur lokacionet në “Mat”, “Sofali”, “Veternik”, “Arbëri” dhe “Kalabri”. Ky projekt është mbrojtur me sukses para Këshillit Ministror më datën 02.06.2020 dhe vendimi nga MEFT ka ardhur më datën 03.06.2020..

Ofrimi i pronave komunale në shfrytëzim për biznese dhe bujq 

Gjatë mandatit 2018-2021 Komuna nuk ka ofruar dhënien e pronave komunale për biznese dhe bujq. Zhvillime të tjera që ndërlidhen me këtë premtim është një marrëveshje që Komuna e Prishtinës ka pasur nga 2018 deri në fund të 2020 me organizatës nga Austria ADA dhe nëpërmjet kësaj marrëveshje është investuar në fushen e bujqësisë rreth 4 milionë euro.

Përfundimi i dy kolektorëve të kanalizimit, njëra në lagjen ose zonen "Mati" dhe tjetra në zonen e "Kalabrisë"

Në zonën e Matit që përshkron lagjen “Muharrem Fejza” është instaluar kanalizimi në gjatësi prej 1,500 metrave. Përveç kësaj lagje kanalizimi është shtrirë edhe në lagjet përreth. Në zonën e Kalabrisë nuk janë hasur gjatë mandatit 2018-2021 investime të kësaj natyre.

Mbyllja e rrugës “Xhorxh Bush” për qarkullim ku do të krijohet parku kryesor i qytetit 

Në gjysmen e dytë të mandatit 2018-2021, komuna ka planifikuar ndërtimin e sheshit nga “Hotel Grand” deri tek Katedralja “Nëna Terezë”. Sipas njoftimit, tenderi është publikuar më 10 prill 2020. Përveç planifikimit nuk ka pasur hartim të ndonjë plani në këtë drejtim. Ndërtimi i këtij sheshi është pjesë e projektit për ndërtimin e parkingut nëntokësor tek Fakulteti Filologjik në Prishtinë (ndërtimi i cilit është në proces) .

Renovimi i sallës se djegur të Pallatit të Rinisë

Pallati i Rinisë është kthyer në pronësi të Komunës së Prishtinës në korrik të 2018. Ky pallat tani ka statusin e ndërmarrjes komunale. Komuna i ka paguar borxhet që ky pallat i ka pasur ndaj punëtorëve dhe operatorëve. Hartimi i projektit për renovim ka përfunduar, por investime gjatë mandatit 2018-2021 nuk ka pasur.

Ndërtimi i pishinës olimpike afër Pallatit të Rinisë

Planet për ndërtimin e kësaj pishine prapa pallatit të rinisë janë zhvendosur për t’u ndërtuar afër stacionit kryesor të autobusëve në Prishtinë. Projekti është hartuar dhe tenderuar. Punime në terren deri në fillim të muajit shtator (2021) nuk ka pasur.

Rripi i gjelbër për këmbësorë duke nisur nga rrethi i flamurit 

Gjatë mandatit 2018-2021 Komuna e Prishtinës ka finalizuar zotimet me Bankën Botërore për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), për Prishtinën Qytet të Gjelbër. Qëllimi i këtij Konfirmimi është rritja e bashkëpunimit mes Komunës dhe BERZh-it për të promovuar projektet e veçanta në kuadër të idesë për Qytetet e Gjelbra (Green Cities). Palët do të bashkëpunojnë në përgatitjen, financimin dhe zbatimin e së paku një projekti në vlerë prej dy deri në 150 milionë euro, që ka të bëjë me menaxhimin e mbeturinave të ngurta; ujërat e zeza; ndriçimin publik; transportin urban; si dhe efiqiencë i energjisë dhe energjia e ripërtrishme. Është paraparë që projekti i parë që do të vijë si rezultat i këtij bashkëpunimi të jetë “Prishtina Public Building Projekt”, që ka të bëjë me masat për efiqiencë të energjisë në ndërtesat publike si dhe rripi i gjelbër për këmbësor.

Ndërtimi i parkingut nëntokësor te Fakulteti Filologjik gjatë vitit 2018

Kontrata për parkingun nëntokësor është nënshkruar më 30 tetor të vitit 2019, në mes të komunës dhe konsorciumit italiano-kosovar “Jaha & Pessina”. Kontrata është e natyrës së partneritetit publiko-privat. Parkingu nëntokësor pritet të ketë hapësirë për 700 makina. Punimet në ndërtimin e parkingut nëntokësor kanë nisur në tetor të vitit 2020 dhe pritet të zgjasin 24 muaj.

Ndërtimi i tregut të ri në hapësirën ku aktualisht është AKP-ja

Komuna ka hartuar projektin e tregut të gjelbert dhe ka dizajnuar konceptin e pamjes së zonës historike të qytetit ku përfshihet edhe tregu. Punët në terren nuk kanë nisur.

Ridizajnimi i tregut të gjelbër në lagjen “Ulpiana” gjatë vitit 2019 

Ka përfunduar hartimi i projektit dhe është përzgjedhur kompania që do t’i kryejë punët, punët në terren nuk kanë nisur.

Përfundimi i dy kolektorëve të kanalizimit në lagjet ‘Mat’ dhe ‘Kalabri’;

Gjatë mandatit 2018-2021 komuna ka finalizuar hartimin e planit për rregullimin/ndërtimin e kanalizimit për këto dy lagje. Në rrugen “Muharrem Fejza” është instaluar gypi kryesor dhe është mundësuar kyqja individuale në gypin e ri.

Restaurimi dhe renovimi i objekteve të vjetra në zonën historike të Prishtinës;

Gjatë mandatit 2018-2021 është bërë një marrëveshje me CHwB për renovim të ndërtesave në Qendrën Historike të Prishtinës. Renovimi ka filluar të ndërtesa e ish-konsullatës, te Shkolla e Parë Shqipe dhe të shtëpia Sali Safqe. Në janar të vitit 2020 kanë filluar procedurat për rigjenerimin e rrugës Mehmet Kaçurri (Rruga Model) në qendrën historike të Prishtinës. Projekti është hartuar nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB Kosova) dhe ka për qëllim rikthimin e autenticitetit të kësaj rruge.

Hapja e qendrës edukative të artit “Ibrahim Kodra” në afërsi të objektit të vjetër të komunës;

Në fillim të 2018 Komuna e Prishtinës ka nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit me Fonacionin “Ibrahim Kodra”, me qëllim të themelimit, zhvillimit dhe promovimit të muzeut të artistit Ibrahim Kodra. Kjo është menduar të bëhet në hapësirat e objektit te ish-Bibliotekës Hivzi Sulejmani. Përveç kësaj marrëveshje, hapa të tjerë në këtë drejtim nuk ka pasur.

Ndërtimi i një sallë koncertale;

Gjatë mandatit 2018-2021 është siguruar grant nga BE në vlerë 15.4 milionë euro për ndërtimin e sallës koncertale. Është formuar ekipi teknik për përpilimin e termave të referencës për konkursin ndërkombëtar për arkitekturën e ndërtesës. Është vendosur që ish objekti i shtepisë së mallrave në Prishtinë (përballë Teatrit Kombetar) të adaptohet për sallë koncentrale. Punimet në terren nuk kanë nisur.

Ndërtimi i teatrit të qytetit, i ndarë nga teatri i kukullave “Dodona”

Gjatë mandatit 2018-2021 ky premtim ka hyrë në buxhetin e vitit 2020, por nuk janë zhvilluar procedura tjera në këtë drejtim, nuk është caktuar lokacioni dhe nuk janë zhvilluar ndonjë procedurë e prokurimit apo projektimit. Në buxhetin e vitit 2021 nuk ka ekzistuar ky projekt që do të financohet/inicohet në Prishtinë.

Funksionalizimi i ansamblit të qytetit më 2018

Është draftuar statuti i ansamblit, por i njejti gjatë mandatit 2018-2021 nuk ka dalur në Kuvend për miratim.

Ndërtimi i ‘Rrugës A’ në lagjen “Mati”

Gjatë mandatit 2018-2021 nuk ka nisur ndërtimi i kësaj rruge. Një marrëveshje mes komunës dhe Ministrisë së Infrastrukturës është arritur për bashkëfinancimin e këtij aksi. Me ndërtimin e kësaj rruge do të bëhet lidhja e lagjes Kalabria (Emshiri) me lagjen e Spitalit, për të vazhduar në Mati 1 e deri në Matiqan.

Funksionalizimi i Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës në vitin 2019

Gjatë mandatit 2018-2021 nuk është caktuar lokacioni për ndërtimin e këtij spitali, nuk ka përfunduar studimi i fizibilitetit dhe as nuk ka pasur nisma tjera teknike në këtë drejtim. Në 2019 MSH pati ndarë 500 mijë euro për nismat e ndërtimit të këtij spitali dhe me vonë këto mjete janë ridestinuar.

Ndarja e mbeturinave sipas produkteve dhe materialit; fillimisht në lagjen “Dardania”

Ndarja e mbeturinave sipas produkteve dhe materialeve ekziston në lagjen “Dardani”, e njëjta implementohet edhe në lagjen “Ulpianë” dhe “Breg të Diellit”. Në këto tri zona kontenjerët janë të shenjëzuara për t’u hedhur mbeturinat sipas llojit, në përgjithësi qytetarët nuk e respektojnë këtë dhe poashtu edhe kompania për menaxhimin e mbeturinave nuk i tërheq mbeturinat sipas llojit.

Largimi i shitësve ilegal nga hapësirat publike

Ka pasur aksione të kohëpaskohshme për largimin e shitësve nga hapësirat publike, por rezultatet kanë qenë të kufizuara dhe shitësit hasen prapë në vendet e njëjta.

Hapja e një strehimore rajonale për vendosjen dhe trajtimin e qeneve endacak

Gjatë mandatit 2018-2021 Komuna ka nënshkruar kontratë me një operator privat për trajtimin e kafshëve endacake në territorin e Komunës së Prishtinës duke përfshirë zenien dhe trajtimin sipas fazave të parapara me ligj. Poashtu ka nisur ndërtimi i një qendre në Hajvali për strehimin e kafshëve endacake, por deri në përfundim të mandatit ka përfunduar vetem faza e parë e punimeve.

Ndërtimi i 15 parqeve të njëjta me atë afër sallës “1 tetori” në Prishtinë gjatë këtij mandati

Gjatë mandatit 2018-2021 kanë përfunduar punët për rregullimin e platos në kompleksin Qafa që është i përafërt me parkun afër salles “1 tetori”. Projekte/investime të tjera të kësaj natyre nuk ka pasur.

Dislokimi i institucioneve qeveritare nga qendra në periferi dhe dhënia e objekteve të dislokuara qeveritare qendrave rinore

Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi (maj 2019) për zhvendosjen e institucioneve nga qendra aktuale e Prishtinës në zonen e quajtur "Prishtina e re". Për shkak të pandemisë COVID-19 nuk ka pasur zhvillime tjera në këtë premtim.

Strehimi i 251 familjeve në banesa sociale për katër vite

Në prill 2019 është bërë shpërndarja e çelësave të banesave komunale për 50 familje të kategorive të dala nga lufta, këto banesa janë ndërtuar në mandatin e parë.

Ofrimi i banimit të përballueshëm për punëtoret e sektorit publik 

Gjatë mandatit 2018-2021 Komuna e Prishtinës ka prezantuar planin për ndërtimin e një qendre banesore në Bernicë ku do të mund të blenin banesa (me kosto të përballushme) punëtorët administrativ. Është paraparë ndërtimi i 500 njësive banesore. Përveç kësaj, asnjë hap tjetër në këtë drejtim nuk është ndërmarrë.

Finalizimi i hartës zonale gjatë vitit 2018

Komuna ka punuar në finalizimin e hartës zonale, por ka paqartësi hapësinore e ligjore nga MMPH në finalizimin e këtyre hartave. Në qershor dhe gusht 2021 komuna ka zhvilluar konsultime publike në lidhje me hartimin e Planit Zhvillimor Komunal, i cili plan do të orientoj harten zonale.

Shënim : Të dhënat janë publike në faqen zyrtare të Institutit GAP

https://www.komunat.institutigap.org/premtimet/kryetaret/85/Shpend%20Ahmeti

(Kosova Sot Online)