Fajon: S’duhet toleruar mbrojtja dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës në Serbi

  • A.P /
  • 17 November 2021 - 16:02
Fajon: S’duhet toleruar mbrojtja dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës në Serbi

Duke komentuar tensionet e shkaktuara nga murali kushtuar kriminelit Ratko Mlladiq, deputetja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon tha për “Nova” se Serbia duhet ta dënojë glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe se çdo mbrojtje e njerëzve të tillë është e papranueshme në vendet që janë kandidate për t’u anëtarësuar në BE.

Që nga 9 nëntori , kur disa aktivistë në Beograd u përpoqën ta shkatërronin vetë muralin e Ratko Mlladiqit, tensionet qëndruan të ndezura në qendër të kryeqytetit të Serbisë çdo ditë. U organizuan dy tubime protestuese, fillimisht për shkak të arrestimit të aktivistëve dhe më pas për shkak të refuzimit të autoriteteve për ta hequr muralin kushtuar të dënuarit të Hagës. Paralelisht me protestat e aktivistëve qytetarë, anëtarët e grupeve të djathta organizuan pothuajse çdo ditë disa mitingje në mbështetje të kriminelit të luftës.

E gjithë kjo ka qenë arsyeja e reagimit të deputetëve të Parlamentit Evropian, të cilët në deklaratën e tyre kanë dënuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se është e papranueshme që policia ta mbrojë një mural të një të dënuari për krime lufte në një vend që është kandidat për anëtarësim në BE.

“Mbrojtja e muralit është një shembull tjetër se çfarë mendojnë Qeveria e Serbisë dhe presidenti Vuçiq për pajtimin, sundimin e ligjit, demokracinë dhe bashkëpunimin rajonal. Edhe një herë, autoritetet serbe dhe zyrtarët më të lartë politikë serbë kanë treguar hapur se nuk respektojnë drejtësinë ndërkombëtare dhe vendimet e saj, si dhe viktimat e luftërave. Është krejtësisht e papranueshme që një vend kandidat për anëtarësim në BE ta vendosë policinë e tij për ta mbrojtur moralin e një krimineli të dënuar lufte”, thuhet në deklaratë.

Edhe pse nuk është ndër nënshkrueset e deklaratës, ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon tha për “Novan” se është plotësisht dakord me përmbajtjen e saj.

“Jam njohur me letrën e dërguar dhe të nënshkruar nga kolegët e mi dhe jam dakord me përmbajtjen e saj. Çdo lloj mbrojtjeje apo glorifikimi i kriminelëve të luftës, të cilët janë dënuar për aktet e tyre çnjerëzore, është absolutisht i papranueshëm dhe nuk duhet toleruar. Këtu përfshihen ngjarjet e fundit në Serbi, një vend që është në rrugën e tij drejt anëtarësimit”, tha Fajon.

Ajo shton se Serbia duhet mbi të gjitha të fokusohet në arritjen e pajtimit, promovimin e paqes e stabilitetit dhe mbrojtjen e demokracisë.

“Kjo është ajo që meriton populli i Serbisë. Prandaj u bëj thirrje autoriteteve ta dënojnë me forcë çdo përpjekje për destabilizim dhe rishqyrtim të së shkuarës së tmerrshme dhe të përgjakshme”, përfundoi Fajon.

(Kosova Sot Online)