Ushqimi i duket me shije të jashtëqitjes 11-vjeçarit me Covid të gjatë

  • E.K /
  • 19 November 2021 - 12:22
Ushqimi i duket me shije të jashtëqitjes 11-vjeçarit me Covid të gjatë

Një djalë 11-vjeçar nga Anglia, i cili është duke vuajtur nga problemet e vazhdueshme me nuhatje pas infektimit me Covid-19, nuk ka mundur të hajë ose të pijë si duhet për disa javë, sepse gjithçka i duket se e ka shijen e “jashtëqitjes dhe vezëve të prishura”, sipas nënës së tij.

Malisse nga Liverpuli i Anglisë doli pozitiv në testin për Covid-19 më 20 shtator dhe fillimisht nuk kishte simptoma. Por djalit më pas papritmas i humbi aftësia për t’i dalluar shijet dhe aromat, raportoi mediumi vendës, “Liverpool Echo”. Për më tepër, gjithçka e bënte djalin sikur donte të villte.

“Ai tha se ushqimi e ka shijen si të jashtëqitjes dhe uji si të vezëve të prishura dhe vazhdonte të villte. Nuk ishte vetëm ushqimi. Ishin shitoret, era e veturave që kalonin, gjithçka e bënte të villte. Nuk dija se çfarë të bëja ose çfarë ishte kjo”, thotë nëna e fëmijës, Dawn Kafi.

Ajo shton se e ndërpreu gatimin në mënyrë që të mos kishte erë të pakëndshme në ajër, por pavarësisht se provoi gjithçka për ta bërë djalin që të hante, ai nuk mundte, shkruan Newsweek, transmeton Gazeta Express.

“Ai kishte qenë vërtet mirë me Covid, nuk kishte simptoma dhe gjithmonë e vendoste maskën, sepse vëllai i tij ka të meta të rënda dhe ai i mbante të gjithë të sigurt, por krejt papritmas ndaloi së ngrëni”, shton nëna e djalit anglez.

Ajo po shqetësohej gjithnjë e më shumë për të birin, duke thënë se ai ishte i lodhur e i ftohtë tërë kohën. Prandaj, pas përfundimit të periudhës së izolimit të fëmijës, nëna e tij e kontaktoi departamentin për veshë, hundë dhe fyt në një spital për fëmijë.

Stafi mjekësor e diagnostikoi fëmijën me parosmia – çrregullim në të cilin era e gjërave të caktuara, ose, në disa raste, e gjithçkaje, shtrembërohen.

Humbja e aftësisë për t’i dalluar shijet dhe aromat është simptomë e zakonshme e Covid-19. Shumica e njerëzve që e kanë këtë simptomë kthehen në normalitet pas një periudhe. Megjithatë, disa njerëzve që u kthehet kjo aftësi u shfaqet parosmia, me ç’rast vërejnë se shqisat u janë çrregulluar.

Parosmia është njohur si njëra nga simptomat e Covid-it të gjatë ose sindromit të Covid-it kronik. Ky çrregullim mund të ketë efekt të ashpër te pacientët, duke ndikuar në mirëqenien psikologjike, shëndetin fizik dhe raportet me njerëzit, sipas një studimi të publikuar në “Plos One”.

(Kosova Sot Online)