Naim Ismajli çohet nga karrigia e kryetarit të Shtimes

  • A.P /
  • 21 November 2021 - 15:38
Naim Ismajli çohet nga karrigia e kryetarit të Shtimes

Naim Ismajli i PDK-së, që qëndron në krye të Komunës së Shtimes prej vitit 2007, tani duhet ta lëshojë karrigen e kryetarit. Ai e humbi besimin e shumicës së qytetarëve pasi qeverisi për tri mandateve me qytezën në skajin perëndimor të Rafshit të Kosovës. Mbrëmjen e 14 nëntorit, kur u mbajt gara e balotazhit mes tij dhe kandidatit të LVV-së, Qemajl Aliut, Ismajli e pranoi humbjen e parë pas 14 vjetësh.

Kandidati i LVV-së, Qemajl Aliu tha se “pas 22 vitesh, Shtimja përsëri është e lirë”, pasi doli i pari në garën e balotazhit, duke marrë 50,67% (7,029 vota), krahas Naim Ismajlit, i cili mori 49.33% (6,844 vota). PDK-së iu thye një basition jo pak i rëndësishëm.

Që pas shpalljes së pavarësisë, në Shtime ishin mbajtur tri palë zgjedhje lokale, prej të cilave po aq herë Ismajli kishte dalë fitues.

Naim Ismajli u zgjodh për herë të parë kryetar i Shtimes në vitin 2007, duke marrë 71.52% të votave. Kundërkandidati i tij nga LDK-ja, Ahmet Ahmeti kishte marrë 28.48%.

Dy vjet pas, në Shtime u mbajtën zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ismajli fitoi sërish.Në garën kundër 5 kandidatëve të tjerë, Ismajli kishte fituar 50.62% të votave.

Pa balotazh Ismajli kishte fituar edhe në zgjedhjet e vitit 2013, duke lënë prapa Fatmir Zymerin nga LDK-ja e Enver Ademin nga LVV-ja.

Në vitin 2017, Ismajli fitoi në balotazh kundër Fatmir Rashitit, i cili garoi si kandidat i pavarur.

Para se të bëhej kryetar i Shtimes, Ismalji për mbi 6 vjet e kishte ushtruar rolin e Kryeshefit Ekzekutiv Komunal. Kjo pozitë nuk ekziston që nga viti 2009, prej kur Ismajli kishte qenë kryetar i Shtimes.

Paraprakisht, Ismajli ishte drejtor i Kooperativës Bujqësore në Shtime, ndërsa në vitet 2000-2001 ishte drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Ambient në këtë komunë.

Në zgjedhjet e parafundit parlamentare në vitin 2019, ai provoi të bëhej deputet, por nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme.

Ismajli më 14 nëntor shkroi në Facebook se e njohin dhe e pranojnë rezultatin.

“Të nderuar qytetarë të Shtimes, Ju falenderojmë për besimin e dhënë në zgjedhjet e raundit të parë dhe të dytë. Nga rezultatet preliminare të zgjedhjeve që u mbajten sot, nuk na kanë nxjerrë fitues prandaj rezultatin e njohim si të tillë dhe presim rezultatet përfundimtare të cilat do t’i respektojmë. Jemi krenarë që ju kemi shërbyer për 21 vite rresht dhe juve qytetarë të Shtimes ju dëshirojmë fat!”, shkroi Ismajli.


(Kosova Sot Online)