Gjykata dënon ish-rektorin e Univerisitetit të Prizrenit për veprën penale “cënimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”

  • E.K /
  • 10 December 2021 - 14:50
Gjykata dënon ish-rektorin e Univerisitetit të Prizrenit për veprën penale “cënimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj R.V., ish-rektor në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”.

I njëjti është dënuar me gjobë me shumën prej 1 mijë e 500 euro.

Siç njofton gjykata, “i akuzuari  nga data 30 shtator 2017, e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, duke vepruar në cilësi të Rektorit të Universitetit, ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta, ashtu siç që është përcaktuar me ligj, në atë mënyrë që vendimin e Sektorit të Inspekcionit të Arsimit në Prizren të datës 14.09.2017, pasi që i njëjti vendim me datën 30.09.2017 behët i plotfuqishëm, i pandehuri si udhëheqës kryesor i institucionit nuk e zbaton, e përmes të cilit urdhërohej Universiteti që: “të rishqyrtoj konkursin e datës 01.08.2016 me nr. të protokollit 01-236 për lëndët si në vendim; të themeloj komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantoj respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtoj barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedh komision recensues të veçantë për çdo fushë.”, vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar nga i pandehuri R.V., , me çka të dëmtuarit V.M., ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs”.

“Me këtë ka kryer veprën penale Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë, nga neni 219, par. 1 dhe 2 të KP-së nr. 06/L-074.

Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale,  të akuzuarin e GJYKON: Dënim me GJOBË në shumën prej 1.500 (njëmijepesëqind) euro”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

“I dëmtuarit V.M., për realizimin e kërkesës pasurore juridike, është udhëzuar në kontest të rregullt civilo-juridik. Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari i rastit  ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar”, përfundon njoftimi.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

(Kosova Sot Online)