Hoti komenton përplasjen e Qeverisë me sindikatat: E papranueshme

  • E. /
  • 10 December 2021 - 14:45
Hoti komenton përplasjen e Qeverisë me sindikatat: E papranueshme

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka komentuar përplasjen e Qeverisë me sindikatat. Ai thotë se duhet të ketë dialog, e jo konfrontim Qeveri-sindikata.

Përmes një statusi në Facebook, Hoti ka shkruar se Hoti ka shkruar se Ligji i pagave për sektorin publik, ka qenë pothuajse i gatshëm gjatë qeverisjes së tij.

“Po bëhen 9 muaj dhe ende ligji i pagave në sektorin publik nuk është sjellë në Kuvend. Ky ligj ka qenë pothuajse i gatshëm në qeverinë paraprake, ku janë adresuar vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese. Në anën tjetër, në vend të dialogut social me sindikata për të gjetur një zgjidhje të përballueshme për buxhetin dhe që do të ishte e pranueshme për të gjithë, ne po shohim konfrontime qeveri-sindikata dhe tendencë për ndërhyrje të qeverisë në pavarësinë e organizimit sindikal në Kosovë”, ka shkruar Hoti.

Deputeti i LDK-së thotë se sjellja e Qeverisë karshi sindikatave është e papranueshme.

“Kjo sjellje është e papranueshme. Sindikatat janë institucione shoqërore të veçanta, të rregulluara dhe të mbrojtura me ligj. Ato kanë bartur barrën e ndryshimeve shoqërore e politike në Kosovë në vitet më të vështira. Ato nuk janë vetëm organizata që mbrojnë interesat e punëtorëve që ato i përfaqësojnë. Është obligim shtetëror që sindikatat të jenë pjesë substanciale e konsultimeve për ligjin e pagave, si dhe për shumë ligje dhe vendime të tjera shtetërore”, ka shkruar Hoti.

Hoti thotë se Grupi Parlamentar i LDK-së do ta diskutojë me kujdes amendamentin për ndarje e mjeteve për paga, para seancës së Kuvendit ku do të votohet buxheti në lexim të dytë.

“Me këtë vonesë të procedimit në Kuvend të ligjit për paga në sektorin publik dhe mosinteresim të qeverisë për të adresuar shqetësimet e sindikatave, me të drejtë deputetë të opozitës marrin nisma për ndarje të buxhetit për paga. Ne do ta diskutojmë me shumë kujdes amandamentin për ndarjen e mjeteve për paga në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-se përpara seancës së Kuvendit më 22 dhjetor, kur votohet buxheti në lexim të dytë”, ka shkruar Hoti.

Sindikatat e sektorit publik kanë kërkuar nga Qeveria që të merren parasysh kërkesat e tyre për rritje të pagave.

Përfaqësuesit e sindikatave kanë deklaruar se Qeveria nuk është e interesuar për dialog, derisa kanë paralajmëruar se përveç protestave, do ta shqyrtojnë edhe mundësinë e grevave.

(Kosova Sot Online)