Mori pjesë në dy Kuvendet e PD-së, Kadilli: Të largojmë Bashën e Berishën

  • G.G /
  • 18 dhjetor 2021 - 13:33
Mori pjesë në dy Kuvendet e PD-së, Kadilli: Të largojmë Bashën e Berishën

Bardh Kadilli, anëtar i Partisë Demokratike, merr pjesë sot në Kuvendit Kombëtar të kësaj force politike. Ai mori pjesë një javë më parë dhe në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha, ku mbajti një fjalim kritik dhe kërkoi që PD të ndahet dhe nga Basha dhe nga Berisha.

“Demokratët të kenë më tepër vetëdije dhe t’i thërrasin arsyes së tyre jo të dy liderëve një PD që i përgjigjet nevojat të shek. 21. Një parti nuk bazohet në lider por te projektet e saj, një parti perëndimore nuk mban liderin dhe shkatërron strukturën.

Besoj instiktivisht që Berisha ka më shumë njerëz, edhe nëse do të ishin 5% e demokratëve unë sërish do të isha këtu për të folur, nuk kam ardhur për Bashën, por vetëm për të folur, asnjë kuvend kur është gjysmë nuk mund të jetë i tërë”, u shpreh Kadilli.

Sipas tij, PD ka hyrë në një krizë dhe zgjidhja është që demorkatët të largojnë dhe Bashën dhe Berishën.

“Kemi dy realitete që nuk njohin njëri-tjetrin, të dy do marrin vendime po kujt i shërben kjo veç vullnetit të Bashës e Berishës, po a është zgjidhje të largojmë Bashën e të sjellim Berishën? Zgjidhja është të largojmë Bashën e Berishën dhe të zgjedhim një ekip të pastër, nuk mund ta vrasë PD Berisha dhe ta mbajë peng Basha.

Kemi hyrë në krizë pa kthim që më 26 prill kur Basha nuk dha dorëheqjen. Unë kam fuqinë e projektit tim politik dhe do këmbëngul si sot dhe çdo ditë që të kenë vetëm një zgjidhje të mbajnë PD dhe jo liderët”, shtoi ai nga Pallati i Kongreseve.

(Kosova Sot Online)