369 qytetarë marrin trajtim për Sklerozë Multiple në Kosovë

  • G.G /
  • 06 January 2022 - 13:55
369 qytetarë marrin trajtim për Sklerozë Multiple në Kosovë

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se Njësia e Sklerozës Multiple në Klinikën e Neurologjisë ka ofruar për gjatë vitit 2021 shërbime ambulantore dhe spitalore për diagnostikimin dhe trajtimin e rasteve të reja me këtë sëmundje.

Nga SHSKUK kanë treguar se në Kosovë momentalisht për Sklerozë Multiple trajtim marrin gjithsej 369 pacientë.

Ndërsa, gjatë vitit të kaluar kanë qenë 39 raste të reja që janë diagnostikuar për herë të parë me sëmundjen dhe e kanë nisur trajtimin.

“Njësia e Sklerozës Multiple në Klinikën e Neurologjisë ka ofruar për gjatë vitit 2021 shërbime ambulantore dhe spitalore për diagnostikimin dhe trajtimin e rasteve të reja me këtë sëmundje. Si dhe nga ana tjetër punën e saj intensive në identifikimin dhe rekrutimin e të gjithë pacientëve në Kosovë të diagnostikuar në vitet paraprake, por të cilët në mungesë të terapisë, nuk kanë qenë në gjendje të trajtoheshin në mënyrë adekuate me terapinë specifike. Por që tani terapia është siguruar nga Ministria e Shëndetësisë”, është thënë nga SHSKUK.

Sipas këtij Shërbimi, Skleroza Multiple është sëmundje e sistemit nervor, e cila paraqitet me ankesa dhe dhimbje të ndryshme, të cilat vijnë kohë pas kohe. Ankesat tipike të kësaj sëmundje janë: ligështimi (dobësimi) në duar apo këmbë; ndjenja e të qenit të pirë (shtangur) dridhjet, artikulimi i paqartë dhe pengesa në shikim.

(Kosova Sot Online)