
Qeveria nesër vendos për masat e reja

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës dhe përfaqësues të gastronomisë kanë takuar zëvendësministrin e Shëndetësië, Arsim Berisha si dhe shefin e kabinetit të ministrit të Shëndetësisë, Kujtim Salihu, me të cilët kanë diskutuar për masat e reja anti-Covid të cilat pritet të shqyrtohen sërish të enjten.
Përmes një njoftimi për media, nga kjo odë kanë thënë kanë kërkuar që të lirohen masat që janë aktualisht në fuqi.
“Meqenëse shumë festa nuk janë lejuar të mbahen, urojmë që nga nesër vendimet e dalura do të jenë në favor të bizneseve hoteliere/turistike dhe të paktën ngjarjet festive në vazhdim të fillojnë të mbahen, e sadopak të rikuperohen bizneset vendore”, thuhet në këtë njoftim.
Komunikata e plotë:
Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës Dr. Sc. Hysen Sogojeva bashkë me drejtorin e departamentit të estradës z. Afrim Muçiqi si dhe përfaqësuesit nga Shoqata e Gastronomëve z. Arian Vranica dhe z. Veton Zuka sapo dolën nga takimi me zëvendësministrin e Shëndetësisë z. Arsim Berisha dhe me shefin e kabinetit të ministrit z. Kujtim Salihu.
Takimi u mbajt me qëllim që të diskutoheshin nga afër problemet dhe dëmet që u janë shkaktuar bizneseve nga masat antiCovid-19 tash e sa kohë, dhe meqenëse nesër do të mbahet mbledhja e qeverisë për masat e reja ashtu siç është thënë, përfaqësuesit nga Oda e Hotelierisë dhe Turizmit sërish i cekën kërkesat e saja të cilat ishin të qarta për lirimin e këtyre masave që janë në fuqi.
Meqenëse shumë festa nuk janë lejuar të mbahen, urojmë që nga nesër vendimet e dalura do të jenë në favor të bizneseve hoteliere/turistike dhe të paktën ngjarjet festive në vazhdim të fillojnë të mbahen, e sadopak të rikuperohen bizneset vendore.
Edhe njëherë përfaqësuesit e OHTK-së u zotuan që do të marrin përgjegjësi për respektimin e masave, në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik, ata premtuan që asnjë sektor i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës nuk do të lejohet të pranojë qytetarë të cilët janë të pavaksinuar, vetëm ata që i kanë çertifikatat e të dy vaksinave do të lejohen t’i shfrytëzojnë hapësirat e subjekteve hoteliere/turistike qoftë restaurant, hotel, sallë dasme, klube të natës apo diçka tjetër.
Urojmë që kërkesat e OHTK-së të miratohen dhe vendimet e ardhshme mos të jenë më në dëm të bizneseve tona, por të punojmë me rregulla dhe me respektim të masave toleruese në mënyrë që të rikuperohet sadopak shëndeti ekonomik por njëkohësisht të ruhet shëndeti publik.
(Kosova Sot Online)