Presidenti i shtetit të Kosovës duhet të jetë person unifikues që e ruan stabilitetin institucional

Presidenti i shtetit të Kosovës duhet të jetë person unifikues që e ruan stabilitetin institucional
Presidenti i shtetit të Kosovës duhet të jetë person unifikues që e ruan stabilitetin institucional

Florim Zeqa

  • 04 March 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Fillimisht më duhet ta cek një element mjaft pozitiv të ‘Kurtit 2’ në krahasim me dy mandatet paraprake të Albin Kurtit si kryeministër! Përderisa në mandatin ‘Kurti 2’ ishte më i ngurtë në raport me bashkëpunimin me opozitën, kësaj radhe, edhe pse me shumicë absolute në Kuvend dhe në qeverisje, po tregohet më i hapur dhe më bashkëpunues me opozitën, prej së cilës ka kërkuar bashkëpunim dhe konsensus politik në zgjedhjen e presidentit.

 

-Presidenti i ardhshëm i shtetit të Kosovës duhet të jetë person unifikues i spektrit politik dhe person që e ruan stabilitetin institucional të shtetit!

Për shkak se, si pasojë e disbalancit institucional, gjegjësisht si pasojë e moskoordinimit të presidentes me kryeministrin dhe anasjelltas në disa raste, Kosova për herë të parë u fut nën sanksione ekonomike ndërkombëtare!

Presidentja në largim, postin e saj nuk po e humb tani pas pesë viteve, por e ka humbur që nga momenti kur e akuzoi kryeministrin Albin Kurti “se po luan bixhoz me fatin e Kosovës”!

Nga momenti i katapultimit në postin e presidentit, Vjosa Osmanit i hyri vetja në huj! Mendonte se e gjithë bota sillej rreth saj! I harroi të gjithë ata (elektoratin) që e ndihmuan të ngrihet në majat e shtetit!

Shumë shpejt dhe në disa raste e injoroi edhe vetë Albin Kurtin, i cili ia mundësoi postin e presidentes!

Në kohën kur kryeministri i shtetit u anashkalua nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, presidentja Osmani sorollatej gjithandej botës ndaras nga Albin Kurti, duke e krijuar te bashkësia ndërkombëtare përshtypjen e dy figurave kontraverse, e dy kokave të një shteti të vogël dhe të pakonsoliduar në Ballkan, me 1001 probleme të pazgjidhura ndër vite e dekada, shkaku i disbalancit institucional, ku njëri e ngiste karrocën e shtetit majtas, e tjetri djathtas!

Në fakt, Albin Kurti tashmë e ka konsoliduar pushtetin personal, por po e kërkon konsolidimin e institucioneve shtetërore ashtu siç e meriton një vend i lirë dhe demokratik.

Vjosa Osmani, në stilin e saj të zakonshëm, derisa e arrin qëllimin politik bëhet e dëgjueshme dhe servile, por nga ai moment bëhet kapriçioze dhe nuk sheh njeri para saj!

E tillë ishte treguar në LDK, e tillë ishte edhe me Albin Kurtin dhe e tillë mund të bëhet me secilin që i premton ngritjen në karrierë politike!

Nëse e shikojmë me kujdes, nuk ishte edhe aq aktive diplomacia e Vjosa Osmanit deri në këto javët e fundit për qëllime elektorale!

Por, siç e ceka edhe më sipër, Vjosa nuk është më pengesë për kalkulimet e Kurtit me 6 deputetë në Kuvend, por kemi të bëjmë me një përplasje të mëhershme për orientimin e politikës së jashtme të Kosovës!

Më ka pëlqyer ideja e Albin Kurtit për zgjedhjen e z. Murat Jashari për president të Kosovës, ngase Familja Jashari gëzon respekt të veçantë dhe të pakontestueshëm në opinionin publik dhe jo vetëm kaq.

Familja Jashari, me sakrificën sublime, të paparë dhe të padëgjuar deri më tani në globin mbarë, e meriton të nderohet me postin e presidentit!

Me këtë akt do të arrihej një standard i ri politik në vendin tonë, që në poste të larta shtetërore të emërohen njerëz me bagazh atdhetar, që kanë merita të pakontestuara, që gëzojnë mbështetjen e gjerë popullore dhe jo vetëm politike.

Tashmë është momenti që për herë të parë në historinë e zgjedhjes së presidentit, pa presion ndërkombëtar, të zgjidhet një figurë emblematike që e përafron të gjithë spektrin politik kosovar, pa dallim pushtet dhe opozitë!

Kosovës i duhet një president që ka dhënë gjithçka për shtetin pa marrë asgjë prej tij!

Me zgjedhjen e z. Murat Jashari për president të shtetit, përfundimisht do të merrte fund epoka e ndarjeve dhe e pazareve politike në Kuvend, si dhe do të hapej një kapitull i ri i zgjedhjes së presidentit unifikues, i cili në çdo situatë është i gatshëm t’i bëjë bashkë partitë politike për të mirën e vendit.

Kjo është e mundur dhe duhet të ndodhë jo më larg se më 4 mars 2026 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me çka do të rreshtohemi një herë e mirë si shtet unitar e jo sektar, si shtet laik e jo fetar.

Nuk kemi kohë për të humbur, vendin e presin sfida të mëdha, të cilat vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë më lehtë dhe pa e dëmtuar të ardhmen e shtetit. Pra, Kosovës i duhet një president bashkëpunues dhe kooperues me bashkësinë ndërkombëtare, por jo servil i tyre, siç jemi mësuar zakonisht t’i shohim presidentët e shtetit tonë.

Me zgjedhjen e Murat Jasharit do të bien poshtë të gjitha pretendimet për servilizim të presidentit, për faktin se Familja Jashari është e pashantazhueshme dhe e pakorruptuar në aspektin kombëtar. Andaj nuk ka bir nëne që i instrumentalizon për qëllime politike!

Përderisa Albin Kurti doli me emër konkret të Murat Jasharit si propozim më konsensual të mundshëm për President, bien poshtë edhe akuzat ndaj Kurtit për vonesa të qëllimshme, ngase askujt më shumë se atij nuk i konvenon zgjedhja e presidentit në kohën e paraparë me ligj dhe Kushtetutë.

Do të ishte dëm i madh për vendin nëse më 4 mars përfundon afati i zgjedhjes së Presidentit, pa finalizimin e këtij procesi, i cili me automatizëm e dërgon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditëve.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".