
Haziri: Të ndërtojmë konsensus pas krizës në Ukrainë

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se Kosova duhet të fillojë urgjentisht të ndërtojë konsensus të brendshëm politik për procesin e dialogut me Serbinë marrë parasysh edhe krizën në Ukrainë. Përgjegjësi i LDK-së për dialog në një prononcim tha poashtu se duhet shfrytëzuar foksusi i qeverisë amerikane dhe BE-së që të përmbyllet procesi i dialogut me Serbinë. Qeveria e Kosovës s’është përgjigjur në pyetjet e gazetës se a i ka ftuar partitë opozitare të bëhen pjesë e dialogut.
Ish-anëtari i delegacionit kosovar në Vjenë thotë se lidershipi politik duhet të zhvillojë dialog të brendshëm që do të përafronte palët në një platformë që çon në përmbylljen e bisedimeve me Serbinë.
“Për rrethanat që jemi deri në mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi, natyrisht që qeveria nën mandatin e saj duhet të vazhdojë të udhëheqë me dialogun me të gjitha mekanizmat institucionalë ku roli i opozitës tashmë është në Kuvendin e Republikës. Neve duhet të na raportojë për çdo takim sipas vlerësimit në mënyrë që të njoftohen partitë opozitare në ndërkohë është kohë e re që pas krizës në Ukrainë, Kosova të fillojë urgjentisht një dialog të brendshëm i cili ndërton konsensus në përmbylljen e dialogut me Serbinë. Një dialog i cili do të përafronte palët në një platformë në një qëllim në mënyrë që sa më shpejt të përmbyllet procesi i dialogut me Serbinë i cili përfundon me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me njohje reciproke”, tha Haziri
Tutje ish-kryetari i Gjilanit, thotë se duhet të ndërrohet dinamika e bisedimeve me fqinjin verior.
“Kjo i bie që të mos vazhdojmë me dinamikën e njëjtë sepse është shumë e ngadaltë, jemi duke u marrë me probleme periferike dhe marrëveshje të vjetra edhe më tutje nuk ka asnjë lloj progresi në negocimin e çështjeve të cilat palët duhet të involvohen në negociata në mënyrë që të përgatitet korniza gjithëpërfshirëse për përfundimin e dialogut”, tha ai.
Haziri dje në një shkrim në Facebook ka thënë se qeveria s’po ndërton ekipe e as mekanizma mbështetës për dialogun, e që sipas tij procesi i bisedimeve është jetik për Kosovën përshkak të cilit varet edhe integrimi euro-atlantik.
I pyetur nëse qeveria e Albin Kurtit ka ftuar LDK-në që të jetë pjesë e dialogut, Haziri tha se s’ka pasur asnjë ftesë nga ekzekutivi.
“Definitivisht nuk ka pasë ftesë, takimi i fundit ka qenë para 11 muajve në të cilin takim e kemi paraqitë platformën e LDK-së. LDK e ka bartë rolin e vet në Kuvend, është përkushtu që në kuadër të platformës politike të LDK-së, qeveria mund të zgjedhë dhe të merr angazhime dhe politike në të cilat ne besojmë. Në të kundërtën ne do të vazhdojmë të jemi në Kuvend dhe nga Kuvendi ta vazhdojmë rolin tonë monitorues dhe mbështetës të procesit të dialogut”, tha Haziri.
Ai u shpreh për dialogun me Serbinë në qeverinë Kurti janë ndërtuar disa zyra dhe po paguhen disa këshilltarë pa ndonjë rezultat.
“Nuk ka mekanizma tjerë që është punu përveç që janë ndërtu disa zyra, janë marrë disa këshilltarë dhe disa ekipe këshilluese që tashmë në qeveri paguhen nga institucionet ndërkombëtare kryesisht dhe e këshillojnë kryeministrin dhe zyrën e tij në lidhje me dialogun”, tha ai.
Duke folur për krizën në Ukrainë dhe vendimin për pushtim nga presidenti Putin, Haziri tha se është momenti ideal që të përmbyllet procesi derisa e kemi fokusin e qeverisë amerikane dhe BE-së.
“Momenti është ideal që të ndërtohet një konsensus i brendshëm, të përshpejtohet procesi i dialogut përderisa e kemi fokusin dhe vëmendjen e qeverisë amerikane dhe të BE-së në Kosovë në lidhje me përmbylljen e procesit të dialogut dhe paralajmërimin e samitit francez në kuadër të presidencës së BE-së në qershor për Ballkanin Perëndimor. Ukraina është në Evropë, kriza dhe konflikti me luftë po paralajmërohet në Evropë, nuk duhet me leju dhe nuk duhet me mëndu që krizat e tilla mund ta rritin fokusin e përhershëm të partnerëve tanë në Kosovë.Serbia në anën tjetër është partner strategjik dhe aleat i Federatës Ruse në Ballkan e cila tash e 15 vjet prej vitit 2007 e ka paralajmëru politikën duale edhe me Moskë edhe me Bruksel, kjo është doktrina e politikës së jashtme ruse. Tani jemi në një fazë kur roli i Rusisë në Ballkan ka me marrë dimension krejt tjetër, i cili nuk nënkupton stabilitet në Ballkanin Perëndimor e aq më pak stabilitet në raport me Kosovën”, tha Haziri.
(Kosova Sot Online)