Rusi-Ukrainë, një përballje e pashpresë

  • A.P /
  • 23 February 2022 - 19:33
Rusi-Ukrainë, një përballje e pashpresë

Ndërsa shahu rus tashmë është përshkallëzuar me vendosjen e “trupave paqeruajtëse”, në territoret e Donetskut dhe Luhanskut, skenari i një ofensive është më afër se kurrë.

Me afrimin e një përplasjeje të mundshme ushtarake ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, superioriteti në numra dhe teknologji janë faktorët kryesorë që do të përcaktonin fatin e një pushtimi potencial. Por, faktorë të tjerë, si aleancat rajonale dhe ndërkombëtare kanë ndikimin e tyre.

Sa herë më e fortë është Rusia?

Epërsia e makinerisë ushtarake ruse përballë ushtrisë ukrainase, tashmë e analizuar gjerësisht, është e qartë dhe vendimtare edhe nëse merret parasysh thjesht tabloja numerike. Nuk ka qoftë edhe një zë armatimi ku Ukraina t’i afrohet Rusisë.

Më poshtë, një ripërmendje e shkurtër e epërsisë ruse përkundër kapaciteteve ukrainase:

4-fishi i personelit ushtarak aktiv krahasuar me Ukrainën

60 herë më shumë mjete luftarake detare

10 herë më shumë personel ushtarak detar

6 herë më shumë tanke

6 herë më shumë mjeteve të tjera të blinduara

2 herë më shumë artileri

10 herë më shumë avionë dhe helikopterë ushtarakë

500 njësi raketash balistike ruse vs. pak njësi të tilla ukrainase

Si paraqitet teknologjia ushtarake e secilit vend?

Që nga lufta në Çeçeni dhe Gjeorgji, ku trupat ruse vijonin të mbështeteshin tek armatimi i vjetruar sovjetik, nga viti 2008 nisën një sërë reformash për modernizimin e ushtrisë ruse. Gjatë një vizite në një bazë të NATO-s në Belgjikë, në vitin 2018, gjenerali amerikan Joe Dunford theksoi se Rusia paraqiste një rrezik real për Europën, duke shtuar se “nuk ekziston asnjë aspekt i forcave të armatosura ruse që nuk i është nënshtruar një mase të caktuar modernizimi”.

Njësi e lëvizshme raketore ruse, 9K720 Iskander-M SS-26

Edhe pse shumica e armatimit rus i përket epokës së Luftës së Ftohtë, ekzistojnë një sërë përditësimesh, kryesisht në raketa, avionë ushtarakë, mjete detare dhe tanke.

Për shembull, Rusia ka rreth 500 tanke të teknologjisë së re, krahas mijëra të tjerëve të trashëguar nga Bashkimi Sovjetik. Megjithatë, duhet theksuar se shumë nga mjetet e vjetra u janë nënshtruar përditësimeve të ndryshme.

T-90M, tank modern rus

Forcat ajrore ruse janë ato që mund të kenë përfituar më shumë nga investimi dhe përditësimi teknologjik gjatë dekadave të fundit. Rusia ka disa qindra aeroplanë luftarakë të roleve të ndryshme të cilat janë të një teknologjie bashkëkohore.

Avioni gjuajtës rus, Su-35S

Gjithashtu, Rusia ka punuar aktivisht në mjetet fluturuese luftarake pa pilot, duke zhvilluar rreth një duzinë llojesh drone luftarake apo mbikqëqyrëse.

Droni rus Fropost

Në krahun tjetër, Ukraina paraqet tablonë e një inferioriteti teknologjik, me shumicën e mjeteve të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik, dhe nga vetëm disa pak qindra njësi mund të përmbushin disa nivele bazike modernizimi. Për shembull, Ukraina disponon vetëm disa dhjetëra njësi tankesh bashkëkohore T-84.

Tank ukrainas T-85

Gjithashtu, vendi ka një numër të paqartë por të kufizuar sistemesh moderne raketore balistike, si dhe disa dhjetëra të tjera të distancës së mesme, gjithashtu bashkëkohore.

Njësi e lëvizshme raketore ukrainase, Hrim-2 Sapsan

Me pak qindra mjete në dispozicion, Ukraina disponon rreth 100 aeroplanë luftarakë, të gjithë të trashëguar nga Bashkimi Sovjetik, dhe ku pak dhjetëra janë përditësuar me teknologji bashkëkohore.

Avion gjuajtës ukrainas, Su-27P Flanker

Të thuhet që në këtë aspekt, Ukraina paraqitet inferiore ndaj Rusisë, do të ishte nënvlerësim. Vërtet, kapacitetet ushtarake teknologjike të agresorit rus paraqiten gjerësisht të prapambetura karshi NATO-s, por hendeku i novacionit ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë është vërtet i madh.

Cila do të ishte strategjia e pushtimit?

Rusia ka mundësinë të godasë nga toka, ajri, ndoshta edhe deti. Mbi të gjitha mund të godasë në distancë përmes raketave balistike, të cilat i disponon me shumicë. Gjithashtu, Rusia mund të ndërhyjë nga një sërë pozicionesh në kufi përmes një brezi relativisht të gjerë, duke vënë në vështirësi përqendrimin e kapaciteteve mbrojtëse ukrainase.

Ndërhyrje nga Donbasi, Bjellorusia, Krimea dhe nga vetë territori rus (Belgorod) janë pikat kryesore, të cilat sipas ekspertëve ndërkombëtarë ka më shumë gjasa të nisë pushtimi rus. Gjithashtu, separatistët nga Donbasi pritet të luajnë një rol në ditët e para të luftës.

(Kosova Sot Online)