Si po e fiton luftën digjitale Ukraina kundër Rusisë

  • A.P /
  • 11 March 2022 - 16:09
Si po e fiton luftën digjitale Ukraina kundër Rusisë

Lufta në terren e Ukrainës është reflektuar në mënyrë simetrike në rrjete sociale. Shteti ukrainas, me në krye Presidentin Volodymyr Zelensky, ka dëshmuar se e ka një ushtri të përgatitur, edhe ‘online’. Rusia shihej si mbretëri e propagandës dhe e informatës. Ukraina e ka thyer edhe në këtë pikë.

Llogaritë e Presidentit, e Parlamentit, e ministrit të Jashtëm, Dmytro Kuleba, e Mbrojtjes ukrainase, e Forcave të Armatosura janë shumë aktive në Twitter dhe në rrjetet tjera sociale. U duhen pak minuta që secili postim i secilit institucion, të shpërndahet kudo. 

Njohësi i politikave të Jashtme, Agon Maliqi, i cili është aktiv në rrjetet sociale, thotë se lufta informative e Ukrainës ka qenë faktor përcaktues i suksesit të saj përballë Rusisë. 

“Lufta informative e Ukrainës është aq shembullore sa do të mbetet gjatë si rast studimor. Mund të thuhet lirisht se ka qenë një prej faktorëve përcaktues në suksesin e deritashëm të Ukrainës në luftë, mbi të gjitha në mobilizimin e ndihmës perëndimore”, thotë Maliqi.

Institucionet ukrainase raportojnë vazhdimisht te populli ukrainas dhe bota për dëmet që ia shkaktojnë forcave ruse, gjendjen e civilëve, humbjet dhe gjithçka tjetër. Për të treguar se kanë edhe sens humori, në llogaritë e Mbrojtjes ukrainase publikohen fotografi dhe video, ku tallen me Rusinë. Nga më të fundit ishte edhe një video ku përqeshej lideri çeçen, Ramzan Kadyrov, i rreshtuar krah Putinit.

Valon Kerolli, eksperti kosovar i rrjeteve sociale, i cili ka përcjell luftën virtuale, thotë se pa asnjë dyshim, Ukraina e ka fituar atë.

“Institucionet e Ukrainës duke shfrytëzuar rrjetet sociale në mënyrë të jashtëzakonshme, kanë arritur që të mobilizojnë dhe ngrisin moralin e vendasve për luftë, të informojnë botën në kohë reale për atë se çfarë po ndodhe atje dhe te turpërojnë armikun me dëmet që iu kanë shkaktuar në beteja”, thotë Kerolli.

Presidenti Zelenksy njofton për bisedat që i bën, shfaq video se ku gjendet, tregon se është aty, në mes të Kyivit, si ukrainasit e tjerë. Kur kërkon rezistencë, ai tregon se kjo nis prej tij dhe fryti i gjithë kësaj shihet. Edhe pas dy jave, superfuqia botërore, Rusia, nuk po mund ta gjunjëzojë shtetin shumë herë më të vogël se ajo. 

Kerolli thotë se ekspozimi i Zelenskyt në rrjetet sociale, në të gjitha format, e kanë bërë atë lider të dashur në gjithë botën.

“Që nga fillimi i luftës, videot nga dhe për presidentin e Ukrainës janë shndërruar në video virale dhe e kanë shndërruar atë në një nga personat më me ndikim dhe më të dashur në rrjete sociale, ku vetëm brenda pak ditësh nga 300 mijë ndjekës sa kishte ne Twitter arriti të ketë mbi 5 milion ndjekës. Ai në kohe reale për çdo ndodhi përmes rrjeteve sociale i drejtohet popullit ukrainas në gjuhen ukrainase dhe ndërkombëtarëve në gjuhen angleze”, thotë ai.

Për luftën virtuale, Ukraina ka angazhuar qindra mijëra veta, ndërsa krejt këtë, Kerolli thotë se e komandon zëvendëskryeministri ukrainas dhe ministri ukrainas për Trasformim Digjital, Mykhailo Fedorov.

“Si koka ose truri i krejt këtij organizimi dhe luftë në rrjete sociale është ministri i transformimit digjital, Fedorov qe eshte vetem 30-vjeçar”, thotë menaxheri i rrjeteve sociale.

“Ajo që duhet kuptuar është se, ndërkohë që në këtë luftë informative është e përfshirë thuajse e gjithë shoqëria ukrainase dhe ka shumë elemente të decentralizuara, shumëçka po koordinohet nga një njësi e asaj që njihet si ‘komunikimim strategjik’”, thotë Agon Maliqi.

(Kosova Sot Online)