
Kthimi i Christopher Hillit në frontin diplomatik. Cila është Kosova e tij?

Pak veta në botë mund të kenë influencuar, në vitet 1998 -99, të ardhmen e kosovarëve, që po jetonin nën brutalitetin e përditshëm të forcave të Millosheviqit, si Christopher Hill. Ambasadori amerikan në Ish -Republikën Jugosllave të Maqedonisë, “IRJM”, qysh njihej atëherë Maqedonia e Veriut, ishte pjesë e zinxhirit diplomatik të administratës amerikane, të drejtuar nga Bill Clinton, që u ngarkua në terren me misionin për arritjen e paqes ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe regjimit të Millosheviqit, por me negociata nuk ia kishte dalë.
Edhe pse diplomat karriere, si duket as vetë Hill, nuk beson në mrekullitë e profesionit që ushtron. ”Diplomacia është sikur goditjet në bejsboll. Nëse ke sukses një herë në tri tentime, atëherë je në rrugë të mbarë”, e thotë vetë ai. Dhe, kjo doli të jetë e saktë në angazhimin e tij në Ballkan.
Konstatimi se Hill ishte njëri nga ata që përcaktuan të ardhmen e kosovarëve, sipas të gjitha gjasave qëndron, sepse ai ishte i deleguari kryesor i superfuqisë numër një në botë, që po rrotullonte gurët, për të gjetur një zgjidhje për një prej konflikteve të fundit të mëdha që po ziente në ish-Jugosllavi.
Në librin e tij “OUTPOST Life on the Frontilines of American Diplomacy”, të cilin e trajton ky shkrim, e që për sebep e ka kthimin e Hillit në Ballkan, si ambasador i SHBA në Beograd, diplomati amerikan tregon se detyrën e tij për të ndërmjetësuar ndërmjet kosovarëve e serbëve, e kishte marrë personalisht nga Sekretarja Amerikane e Shtetit Madeleine Albright.
“Në fillim të majit (1998), Sekretarja Albright më telefonoi në Shkup dhe më luti që krahas detyrave të mia si ambasador në Maqedoni të marr përsipër edhe punën emisarit për Kosovën me orar të plotë”, shkruan Hill.
Pra, diplomati amerikan, që druante se a do të kishte sukses në përpjekje për të bërë paqe ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, po e niste punën me bekimin e gruas më të fuqishme në botë, Sekretares Madeleine Albright, e cila me administratën Clinton dhe me shtetet e NATO’s do t’i çlironte përfundimisht shqiptarët nga Serbia.
Pas disa muajsh përpjekje si emisar, në kohën kur dy palët kishin shkuar për të bërë edhe një tentativë për marrëveshje, në kështjellën e Rambujesë, Hill pas një bisede telefonike me Richard Holbrooke, i cili mundësitë për sukses në Francë i shihte 50-50, Hill i kishte hequr iluzionet. “E pashë se ka pak shanse të funksionojë dhe vendosa që ajo që na duhet është një miratim shqiptar i dokumentit dhe refuzimi serb. Nëse të dyja do të refuzonin, nuk do të ketë aksion të mëtejmë të NATO’s, apo të ndonjë organizate tjetër për çështjen”.
Christopher Hill, të premten që shkoi, disa muaj pas nominimit nga Presidenti Joe Biden, u konfirmua edhe në Senatin Amerikan me çka u “certifikua” për të shërbyer si ambasador në Beograd, atje ku ka kujtime nga vitet e 60’ta, kur shkonte në shkollë për fëmijët e diplomatëve, si bir i një zyrtari politik në Ambasadën e SHBA’së, në kryeqytetin jugosllav. Tani 70 vjeçari, të cilin Biden e ktheu nga pensionimi, atje do ta marrë me vete një përvojë të gjatë si ambasador në katër shtete, si emisar në bisedime të komplikuara si Kosova, Koreja e Veriut dhe së fundi edhe përvojën e profesorit të diplomacisë. Hill në dëshminë e tij para Senatit, në dhjetor të vitit të kaluar, në pika të shkurta e kishte përmbledhur atë që do t’ua kërkojë autoriteteve serbe kur të nisë punën: implementimin e reformave, luftën kundër korrupsionit, forcimin e institucioneve demokratike, normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën me njohje reciproke, hetimin në tërësi të rastit të vëllezërve Bytyqi dhe dënimin e përgjegjësve. Hill do të insistojë dhe në distancimin e Serbisë nga Moska dhe Pekini.
Rreth 24 vjet më parë Hill kishte pasur kërkesa tjera ndaj bashkëbiseduesve të tij në Beograd. Pak pas emërimit si emisar, ai ishte nisur drejt Beogradit me një diplomat tjetër të kategorisë së rëndë, Richard Holbrooke, i cili e kishte për detyrë t’ia prezantonte Millosheviqit kolegun e tij.
Hill në librin e tij rikujton këtë takim dhe reagimin e Millosheviqit.
“Zoti Holbrooke, nuk kam nevojë për emisar. Kosova është pjesë e Serbisë. Është problem i brendshëm. Serbët kurrë nuk do ta pranojnë një të huaj që do të merret me punët e tyre të brendshme”.
Por, brenda pak minutash “Kasapi i Ballkanit” i kishte ndërruar fjalët.
“Por unë mund të them se Ambasadori Chris është i mirëseardhur të më takojë në çdo kohë dhe ai mund të shkojë në Kosovë kudo që do.”
Raporti mes tyre, pas disa muajsh, nuk do të ishte më kështu. Hill tregon se si marrëdhënia me Millosheviqin ishte përkeqësuar gjatë Rambujesë. Kur Hill kishte bërë një udhëtim drejt kryeqytetit serb gjatë bisedimeve në Kështjellën e Rambujesë, Millosheviq kishte refuzuar ta pranojë. Pas kësaj, shumë shpejt do të fillonin bombardimet. Hill tregon edhe përpjekjet e fundit ë kishte bërë për të bindur Millosheviqin.
Më 22 mars 1999, Hill e Hollbrooke kishin provuar me orë të tëra që ta bindnin Milloshevqin, të cilin e kishin gjetur në disponim fatalist, duke u thënë diplomatëve amerikanë “ju jeni superfuqi, mund të na bombardoni”.
Dhe përpjekja e fundit pas kthimit të Hillit në Shkup, në Ambasadën e tij.
“Mbyllëm ambasadën (në Shkup), rishikuam procedurat dhe kërkuam më shumë ndihmë nga policia lokale. U ula në tryezën time, për t’i bërë një telefonatë të fundit ndihmësit të ministrit të jashtëm të Millosheviqit, Bojan Bugarçiq, si një mundësi e fundit. Ai më tha: “Ne nuk do të jemi më në kontakt për një kohë shumë të gjatë. Gjithë mirat”.
“Në 24 mars bombardimet filluan”, Shkruan Hill.
Gazeta Express më poshtë do të sjell fragmente të shkurtuara dhe të përfolura nga libri i Hillit, sa për të treguar një copëz historie nëpër të cilën ka kaluar Kosova, të përshkruar nga një njeri kyç që mund të thuhet se edhe është një nga personat që e ka bërë këtë histori ose që ka qenë dëshmitar direkt i saj, pa pretenduar se janë shkëputur pjesët më të rëndësishme.
Daytoni
Një nga temat më të përfolura për politikën e viteve ‘90 është edhe fakti që Kosova nuk u përfshi në këtë konferencë, që kishte për qëllim ndaljen e luftës në Bosnjë dhe një marrëveshje ndërmjet Bosnjës, Serbisë dhe Kroacisë.
Jo rrallëherë, Daytoni ka shërbyer si element për përplasje në politikën e Kosovës. Por çfarë thotë Hill, pse nuk e përfshinë amerikanët Kosovën në atë proces.
“Shqiptarët ishin të shqetësuar se çështjet e tyre asnjëherë nuk u ngritën gjatë bisedimeve në Dayton, një pritje që nuk kishte shanse të përmbushej, pasi procesi i paqes në Bosnjë asnjëherë nuk e kishte paraparë përfshirjen e situatës së Kosovës”, shkruan Hill.
“Unë isha më i vetëdijshëm për Kosovën se të tjerët, pasi kam shërbyer në Shqipërinë fqinje, por bazuar në udhëtimet që kisha atje më 1994 dhe 1995, e kuptova që krahasuar me luftën brutale që po vazhdonte në Bosnjë, çështja e Kosovës nuk do të përfshihet në bisedime tashmë komplekse”. vazhdon ai.
Sipas diplomatit amerikan, kur demonstruesit shqiptaro – amerikanë shkuan afër portave të bazës “Wright Patterson” për ta takuar ekipin negociator amerikan, Millosheviq i kishte kërkuar Holbrooke’ut që atë ta lë larg tyre. Hill thotë se Holbrooke ishte pajtuar dhe në vend të tij kishte shkuar diplomati tjetër, Rudolf Perina.
Draftet e Hillit
Në vitet ‘98 –‘ 99 Kosova, Serbia dhe Perëndimi po negocionin për një autonomi të mundshme për Kosovën. Hill shpjegon se propozimet e tij po shkruheshin nën mbikëqyrjen e juristit Jim O’Brien, i afërt me Sekretaren Albright dhe Jonathan Levitskyt. Por, asokohe ato hidheshin poshtë nga Kosova, sepse nuk parashihnin pavarësimin e vendit.
“Draftet po bëheshin gjithnjë e më të favorshme për kosovarët, por në mungesë të një provizioni për pavarësinë e Kosovës, e dija se nuk do të mund t’i bindja kosovarët e as serbët nuk do të pajtoheshin”, shkruan ai.
Por a po përpiqeshin vërtet amerikanët të impononin autonomi duke propozuar drafte?
“Kjo u shndërrua më shumë në një përpjekje për t’i treguar anëtarëve tjerë të Grupit të Kontaktit se po bënim gjithçka që po mundnim, për të gjetur një zgjidhje diplomatike. Që në rastin më të mirë do të ishte një paqe e papërfunduar”, thotë ai.
Ibrahim Rugova
Pa humbur kohë, pas takimit prezantues te Millosheviqit, siç kujton Hill në memoaret e tij, dy amerikanët ishin nisur drejt Prishtinës, te Ibrahim Rugova.
“Holbrooke nuk i njihte lojtarët atje, pra më ra mua që t’ia prezantoj”.
“E vizituam Rugovën në zyrat e LDK’së që ishin pothuaj duke u shembur, bashkë me liderët tjerë të LDK’së, përfshirë Fehmi Aganin, nënkryetar, si dhe përkthyesin e Rugovës”.
Pastaj, Hill tregon edhe për një takimin të radhës me Rugovën, në të njëjtën ditë, në shtëpinë e tij.
“Rugova e mbante gjithmonë të ndezur televizorin, derisa i priste njerëzit në shtëpinë e tij. Fillimisht mendova se kjo ishte një masë kundër përgjimeve serbe, por më vonë erdha në përfundim se atij vetëm i pëlqente ta mbante televizorin të ndezur krejt kohën”.
Hill shpjegon se aty Holbrooke ia kishte propozuar Rugovës takimin me Millosheviqin, për çka me diktatorin serb kishte folur një ditë më herët.
“A ke vullnet të vish në Beograd të takosh Presidentin Millosheviq?”, citon Hill Holbrooke’un.
Rugova qartësisht nuk ishte i interesuar dhe filloi të shfaq hezitimin e tij, por para se unë – shkruan Hill – të merrja fjalën për të folur në favor të këtij takimi, Holbrooke nxori befas një ide tjetër.
“Pasi të vizitoni Beogradin, e di që Presidenti Clinton do të jetë i interesuar për t’ju takuar në Shtëpinë e Bardhë”.
Hill, tutje, thekson se ky ishte një trik i moçëm negociator, për ta paketuar një element të pakëndshëm me diçka tërheqëse.
“Natyrisht, askush në Washington nuk e dinte se Hoolbrooke do të ofronte një takim presidencial. Këto takime nuk ofrohen lehtë. Por Hoolbrooke kishte një reputacion të lartë në vitet pas Daytonit dhe s’kishte asnjë dyshim se mund ta nxirrte një takim të tillë”.
Diplomati më pas rikujton takimin Rugova-Millosheviq më 15 maj 1998 dhe më 28 maj, atë Rugova -Clinton.
Por si e kishte njohur Hill Rugovën? Ai tregon se me njeriun që do të bëhej lider i 2 milionë shqiptarëve të Kosovës, për herë të parë është takuar në rezidencën e ambasadorit amerikan në Beograd, në vitin 1989.
Hill shpjegon se Rugova nuk kishte shpresa se paqja mund të bëhet me Millosheviqin. Sipas tij, qysh atëherë ishte e qartë se qëllimi i Rugovës ishte pavarësia e plotë dhe asgjë më pak.
“Ai ishte strategjikisht i durueshëm për atë se si dhe kur do ta arrinte qëllimin e tij. Ajo që është më fundamentale, ai me shumicën e shqiptarëve kanë ndarë një besim të thellë dhe të përhershëm ndaj SHBA’së”, shkruan ambasadori.
Por në vitet ’98-‘99 lidershipi i Rugovës në Kosovë po kontestohej, edhe në Kosovë edhe në Perëndim.
“Rugova ishte de facto lider i shqiptarëve të Kosovës për më shumë se një dekadë dhe, sigurisht, në pikëpamjen time ai meritonte të trajtohej me respekt. Por, ai në Washington gjithnjë e më shumë po lihej anash dhe shihej si joefektiv , ose për më shumë, ai nuk i kontrollonte njerëzit me armë”.
Në kërkim të UÇK ‘së
Me të marrë detyrën, përveç takimeve në zyra në Prishtinë dhe Beograd, Hill i ishte përveshur punës për të gjetur liderët e UÇK’së që t’i përfshinte në procesin e bisedimeve me Serbinë.
Hill shkruan se në këtë pikë kishte një garë ndërmjet vetë amerikanëve. Ai rikujton se si emisari amerikan Robert Gelbard në maj të vitit 1998 kishte avancuar në garën me Holbrooke, duke takuar një grup të UÇK’së në Gjenevë, në kohën kur siç thotë ai “unë dhe Holbrooke po takoheshim me Rugovën”.
Kjo situatë implikonte, shkruan Hill, se Holbrooke dhe unë ishim me një “lajm të vjetër”, ndërsa Gelbard me njerëzit që çonin më shumë peshë.
“Por derisa Dick dhe unë ishim duke shëtitur nëpër pjesët më të largëta të Kosovës, para se ai të kthehej në SHBA, arritëm në një qytet të vogël në pjesën jugperëndimore të krahinës, të quajtur Junik, që ishte vend ku tashmë ishte shfaqur dhuna. Pleqtë e fshatit na ftuan në një shtëpi ku u ulëm në dysheme, me gotat e çajit turk të rëndë e plot sheqer para nesh, për t’i dëgjuar çfarë kishin të thoshin 20 fshatarët që ishin ulur me ne. Disa minuta më vonë, një luftëtar i UÇK’së me uniformë kamuflazhi të blerë, në dukje si Che Guevara, na u bashkua dhe u ulë afër Holbrooke’ut. Aty kishte pak hapësirë dhe çdokush që e kishte parë foton në gjithë botën, të nesërmen, ai dukej si i ulur në prehrin e Holbrooke” ,rikujton Hill fotografinë e famshme të Hajdin Abazit – Lum Haxhiut, që shumëkush e kishte interpretuar si kontaktin e parë publik dhe si legjitimim të UÇK’së nga Amerika.
Pas publikimit të kësaj fotografie, Holbrooke i kishte kërkuar Hillit që të nesërmen të shkojë në Beograd, për t’i thënë Millosheviqit se “Che” kishte hyrë në dhomë krejtësisht papritur.
“Deri në qershor (1998), ekipi im ende nuk kishte pasur një ballafaqim serioz me UÇK’në. Bashkëpunimi me njerëzit me armë në një proces paqeje duhej të ndodhte, nëse donim të krijojmë një ekip inkluziv negociues kosovar, që do të kishte mandat mjaftueshëm për të arritur marrëveshje. Përfaqësuesit që i kishte takuar Gelbard në Gjeneve ishin me gjasë simpatizantë të UÇK’së, por ata nuk ishin luftëtarë në terren”, shkruan Hill.
Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi
Më vonë gjatë asaj vere (1998), shkruan Hill, e gjetëm selinë e UÇK në Drenicë, në Likoc. Hill jep detaje interesante për takimin me Jakup Krasniqin, zëdhënësin e UÇK’së, i cili ishte bërë i njohur edhe nga intervista me Christiane Amanpour.
Arsyeja që Hill po e takonte Krasniqin ishte shkëmbimi i robërve të luftës.
“Në janar të vitit 1999, UÇK kishte kapur tetë ushtarë të APJ (JNA) dhe kërkonte këmbim të të burgosurve, një procedurë normale, në luftëra, por kjo nuk ishte realizuar ndonjëherë në konfliktin e Kosovës. Serbët premtuan se hakmarrja do të jetë e shpejtë dhe e furishme”, thekson ai.
Për këtë diplomati amerikan thotë se kishte arritur ta bindte Millosheviqin, brenda dy orësh, por ai kishte insistuar që ushtarët serbë të lirohen 10 ditë para lirimit të ushtarëve të UÇK’së.
“Duke punuar rreth kësaj çështjeje, për disa orë, e pashë që kjo ishte maksimumi që mund të nxirrja, u sigurova që pas 10 ditësh ushtarët e UÇK do të lirohen”, shkruan ai.
“Kjo është marrëveshja jonë. A jemi në rregull?”
“Natyrisht”, u përgjigj Millosheviq. “Ta jap fjalën”.
“U mora vesh me Millosheviqin duke bazuar në këtë: nëse do t’i lirojë pas 10 ditësh, siç premtoi, do të ishte marrëveshja e parë e tillë në luftë dhe do të ofronte pak momentum në proces. Nëse nuk do ta bënte, unë do të jepja dorëheqje menjëherë”, vazhdon Hill rrëfimin e tij.
Hill pastaj përshkruan takimin me Jakup Krasniqin, i cili sipas tij, po bënte vërejtje për vonesën 10 ditëshe, duke insistuar që këmbimi të kryhej në një “simetri perfekte”.
“Zoti Krasniqi, pse nuk po e pranon këtë propozim? 10 ditë nuk janë shumë”, citon Hill fjalët e veta.
“Si mund t’i besoj Millosheviqit – u përgjigj Krasniqi”, vazhdon tutje Hill.
Pastaj ai rrëfen se si nëpërmjet përkthyesit e kishte vazhduar presionin ndaj zëdhënësit të UÇK ‘së.
“Z. Krasniqi, ky nuk është problem juaji. Ky është problem imi. Problemi yt nuk është nëse i beson atij, por a më beson mua. Por, para se të përgjigjesh a më beson mua, duhet të kuptosh diçka. Nëse nuk më beson mua, kjo nënkupton që nuk i beson qeverisë amerikane. Nëse nuk i beson qeverisë amerikane, nuk i beson popullit amerikan dhe nëse nuk i beson popullit amerikan, nuk i beson Amerikës. Nëse nuk i beson Amerikës, atëherë je në telashe të madhe. Kështu që zoti Krasniqi, më lejo të të pyes: a i beson Amerikës?”.
Hill shkruan tutje se pas kësaj serbët ishin liruar ditën e ardhshme, ndërsa shqiptarët 9 ditë më vonë.
Një figurë tjetër e Konferencës së Rambujesë dhe zhvillimeve të atëhershme ishte edhe Hashim Thaçi. Përveç Hillit, me Thaçin po merreshin edhe “amerikanë të tjerë”.
Emisari amerikan në libër pasqyron edhe opinionin e Albrightit dhe stafit të saj rreth drejtorit politik të UÇK’së dhe kryesuesit të delegacionit të Kosovës në Rambuje.
“Jamie Rubin ishte i pikëpamjes se lideri real i delegacionit ishte Hashim Thaçi dhe se Albright duhet të fokusojë përpjekjet e saj te ai. Jamie filloi t’ia kushtojë vëmendjen ekskluzivisht Thaçit, duke shkuar aq larg sa t’ia propozojë edhe kombinimet për kostume dhe kravata. Jamie e kishte një poentë që po fokusohej te Thaçi si një lider eventual, kjo do të validohej më vonë kur Thaçi u zgjodh kryeministër”.
Por, kur në Rambuje pala kosovare, më saktësisht Hashim Thaçi, po hezitonte të nënshkruante, Hill tregon momentin e komunikimit me të.
“’Pse nuk po mundeni të pajtoheni me këtë?’, e pyeta Thaçin, me të vërtetë duke mos besuar se a po i kuptonte pasojat gati fatale për kosovarë në rast të jo’së?’”.
“Jeni ju që nuk po kuptoni”, u përgjigj ai. “Nëse pajtohem me këtë, do të shkoj në shtëpi dhe do të më vrasin”.
Paraprakisht Thaçi ishte zhdukur nga konferenca.
“Dyshimet ishin se ai kishte shkuar liderin politik të vetemëruar të UÇK’së, Adem Demaçin, që kishte refuzuar të merrte pjesë në Rambuje”, tregon Hill.
“E njoh një terrorist sapo ta shoh dhe këta njerëz janë terroristë”
Në shkurt të vitit 1998 i dërguari special amerikan për Ballkanin, Robert Gelbard, i kishte dënuar aktivitetet policore të Serbisë, por kishte shkuar një hap tutje duke thënë se UÇK ishte terroriste, pas një takimi që kishte pasur me dy anëtarë të UÇK’së.
“E njoh një terrorist sapo ta shoh dhe këta njerëz janë terroristë”, rikujton Hill deklaratën e kolegut të tij amerikan.
“Deklaratat e Gelbardit për terrorizmin nxitën tensione në Kosovë dhe shkaktuan shqetësime të mëdha se serbët do t’i shohin ato si një dritë të gjelbër për ta sulmuar UÇK’ në, kudo që ta gjenin”, shkruan Hill.
“Por, brenda javësh serbët shkuan agresivisht në Drenicë, në zemër të UÇK’së, ku sulmuan shtëpinë e komandantit të UÇK’së, Adem Jashari, duke e vrarë atë dhe familjen 16 anëtarëshe, përfshirë fëmijët”.
Hill rikujton se ky aksion i Serbisë ishte dënuar universalisht dhe sipas tij, Gelbardi i frustruar nga akuzat se i kishte kontribuar çmendurisë serbe, ishte veçmas i ashpër me Milosheviqin.
Gelbard kishte goditur me grusht tavolinën e Millosheviqit.
“Ai u vlerësua në Washington që ishte direkt, por në Beograd iu tregua dera dhe nuk iu mundësua asnjëherë ndonjë takim (me Millosheviqin).
“Një emisar, për të cilin qasja ndaj të gjitha palëve është esenciale, nuk e ka luksin të flasë gjithmonë publikisht”, konkludon Hill.
Pas kësaj, Gelbard ishte instruktuar nga Sekretarja Albright që të merret me zgjedhjet në Bosnjë.
Plaku i Malishevës: Zoti Christopher, a mund të na ktheni në shtëpi?
Duke e përshkruar atmosferën e luftës, Hill flet për momentin kur e kishte ftuar Rugovën për një “xhiro” në Malishevë.
“E mora në veturën time më 3 nëntor dhe shkuam në Banjë të Malishevës. Reagimi i njerëzve kur e panë Rugovën ishte i jashtëzakonshëm. Njerëzit fillimisht ishin hezitues kur panë liderin e tyre prej më shumë se 10 vjetësh, iu afruan dhe ia hodhën duart rreth qafës, e puthën në faqe. Disa e përqafuan dhe ranë në gjunjë, duke ia puthur dorën sikur të ishte Papë”.
“U largova për të absorbuar këtë skenë në tërësinë e saj. Ata që e skualifikuan Rugovën, do të doja ta kishin parë tani. Ajo që i bën disa politikanë karizmatikë dhe disa tjerë jo, për mua ka qenë gjithmonë një koncept eluziv, por këtë ditë e pashë se Ibrahim Rugova ishte një forcë që duhet të merret në konsideratë – ndoshta kjo ishte arsyeja pse UÇK dhe tjerë ishin shumë të ashpër me të”.
Duke e parë atë që po ndodhte me Rugovën, Hill tregon se si iu afrua një burrë i moshuar.
“Zoti Christopher, Zoti Christopher...”.
“Nuk e dija kush ishte, por ia zgjata dorën, por ai injoroi dorën time dhe m’u hodh duke më përqafuar me gjithë forcën që kishte. Pasi më puthi në të dyja faqet e njoha, ishte njeriu që e kisha parë në tendat në mal”, shkruan ambasadori.
“’Z. Hill, tani jam në shtëpi, siç edhe premtuat, jam në shtëpi’. E përqafova dhe e putha edhe unë në faqe’”.
Rreth një muaj më herët, Hill ishte ballafaquar me plakun në mal, në tenda, që ishte larguar bashkë me fshatarët tjerë për shkak të frikës se serbët mund t’i vrasin sikur 35 bashkëfshatarët.
“’Dua të shkoj në shtëpi. Zoti Christopher, a mund të më ktheni në shtëpinë time?’”.
“Po ju premtoj se do të bëj më të mirën”.
“Të nesërmen fluturova drejt Beogradit dhe e konfrontova Millosheviqin për djegien e fshatit, i tregova për takimin me fshatarët në mal, duke lënë anash pjesën për praninë e mundshme të UÇK’së, pasi nuk doja që të bëhen cak i forcave të tij”.
Hill tregon se në këtë moment Millosheviq e kishte marrë telefonin dhe kishte dhënë urdhër që të largohet njësiti afër Malishevës dhe Rahovecit.
Por, historia e diplomatit me plakun nuk përfundon këtu.
“Më 2011 dhe më vonë, më 2013, gruaja ime Julie dhe unë e vizituam Kosovën, një vendi të cilit vite më parë i përshtatej përshkrimi për Ballkanin, i Sekretarit Christopher, si një problem nga ferri. Shkuam në fshatin e vogël të Malishevës, ku disa vite më parë e pashë popullatën të dëbuar në mal, shtëpinë dhe xhamitë të djegura për tokë. Tina Kaidanowit, Phil Reekerit dhe mua na u deshën orë të shkojmë atje nëpër rrugë të ngushta. Tani me shpejtësi po kalojmë nëpër një autostradë të ndërtuar nga firma inxhinierike amerikane Bechtel”.
“Ku është Malisheva?, e pyeta shoferin…”.
Hill tani po shihte një Kosovë të re.
“Shtëpitë ishin rindërtuar. Ishte një kafene dhe një restorant i këndshëm afër… Mësova nga pleqtë e fshatit, që u mblodhën rreth meje, se plaku që më kishte falënderuar për kthimin e tij në shtëpi pasi kishte kaluar me javë të tëra në male, kishte vdekur paqësisht në gjumë, disa muaj më parë”.
Në vazhdim të rrugës, në drejtim të Shkupit, derisa ishte duke i shpjeguar gruas së vet për Stankovecin, kampin ku ishin strehuar mijëra shqiptarë, Hill tregon edhe një detaj me shoferin e tij kosovar.
“Shoferi më tha: zoti ambasador, më fal që po të ndërpres, por unë isha në atë kamp për dy muaj, unë dhe familja ime kemi pritur në kufi disa ditë. Ato ditë menduam se të gjithë do të vdesim. Amerikanët ma shpëtuan jetën. Na e shpëtuan jetën të gjithëve. Motrën time. Vëllain. Prindërit e mi. Të gjithë neve. Jemi shumë mirë sot, sepse ju na shpëtuat jetët. Vetëm dua të them faleminderit tani, sepse kurrë më s’do të kemi ndonjë rast më të mirë. Më falni që ju ndërpreva”.
(Kosova Sot Online)