Berisha: Putini terrorist nuklear, NATO t’i japë përgjigjen e merituar

  • E.K /
  • 24 March 2022 - 14:19
Berisha: Putini terrorist nuklear, NATO t’i japë përgjigjen e merituar

Sali Berisha e quajti “terrorist nuklear” Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, kanë raportuar mediat e Shqipërisë.

Gjatë një prononcimi për gazetarët në hyrje të Parlamentit, ish-kryeministri shqiptar ofroi një mbështetje për liderët e NATO-s që janë mbledhur në Bruksel për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë.

“Duke shprehur dhe konfirmuar mbështetjen e pakufishme për këtë aleancë, uroj dhe dëshiroj që me vendimet e tij, ky samit t’i japë përgjigjen më të merituar terroristit nuklear, diktatorit gjakësor që beson dhe mendon se mund të terrorizojë lirinë e botës me armët nukleare që ai disponon. Prandaj e konsideroj këtë samit shumë të rëndësishëm për paqen dhe lirinë në botë dhe i uroj shumë suksese”, tha Berisha.

Berisha e ka dënuar disa herë pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ai u përfshi edhe në një debat në distancë me ambasadën ruse në Tiranë, pasi tha më 17 mars se i ishin ofruar shuma përrallore për të hequr dorë nga gazsjellësi “Trans Adriatic Pipeline”, në favor të gazit rus.

Në reagimin e saj, ambasada e Rusisë në Shqipëri shkroi në Facebook: “U habitëm nga fjalët e Sali Berishës se 10 vjet më parë ai refuzoi ryshfetin gjoja të propozuar nga Gazprom për zhvillimin e projekteve energjetike në Shqipëri. Na lind natyrshëm pyetja: sa kërkoi zoti Berisha që as Gazprom nuk mundi t’i mbledhë dot ato shuma përrallore?”.

Berisha reagoi sërish duke publikuar një mesazh për të cilin ai pretendon se i ka ardhur nga presidenti i Gazprom për të hequr dorë nga TAP-i, vendim pas të cilit do të kishte një investim prej 4,1 miliardë dollarë në termocentrale të mëdha gazi në Seman.

(Kosova Sot Online)