Policët e gjyqtarët në Veri po punojnë, Kryetarja e Gjykatës ende e suspenduar

  • E.K /
  • 07 April 2022 - 12:12
Policët e gjyqtarët në Veri po punojnë, Kryetarja e Gjykatës ende e suspenduar

Ljiljana Stevanoviq erdhi në krye të Gjykatës Themelore të Mitrovicës në nëntor të vitit të kaluar pasi u përzgjodh nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), përmes një votimi të fshehtë. Po ky Këshill e suspendoi afër pesë muaj më vonë, më 23 mars, për shkak se ajo mori pjesë në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd ku temë bisede ishte mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, mbajtja e të cilave u konsiderua shkelje e integritetit territorial.

Zëdhënësja e KGJK-së, Ajshe Qorraj, ka konfirmuar për Express se Stevanoviq vazhdon të mbetet e suspenduar deri në një vendim përfundimtar, derisa tha se këtë pozitë është duke e ushtruar Bekim Veliqi, u.d. i kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Suspendimi i Stevanoviq nuk iu pëlqeu udhëheqësve të Listës Serbe, të cilët kërcënuan se të gjithë punonjësit serbë në veri të vendit do të vetësuspendohen dhe se ata do të kthehen në vendin e tyre të punës kur edhe Stevanoviq të kthehet.

Goran Rakiq, pjesë e Qeverisë së Kosovës, gjatë një proteste në veri të Mitrovicës që kundërshtonin mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, tha se të gjithë përfaqësuesit politikë serbë që punojnë në institucionet e Kosovës nuk do të kryejmë asnjë detyrë derisa ta kthejnë kryetaren e gjykatës.

“Sipas informacioneve që morëm sot në mëngjes, unë dhe kryetarët e komunave, gjyqtarët e nacionalitetit serb dhe punëtorët e gjykatës, organeve të gjyqësisë sot nuk kanë shkuar në punë. Nga sot në mbështetje të Kryetares së shkarkuar të Gjykatës edhe ata janë suspenduar dhe kështu do të jetë derisa Ljiljana Stevanoviç nuk kthehet në punë”, tha Rakiq nga protesta e 25 marsit.

Por, këtë zotim s’e mbajtën meqë të gjithë gjyqtarët dhe policët serbë në veri të Mitrovicës janë në krye të detyrës.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Themelores në Mitrovicë, Bekim Veliqi, ka konfirmuar për Express që të gjithë gjyqtarët janë kthyer në punë.

Po ashtu, edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti, ka konfirmuar se të gjithë policët janë në detyrë.

Pas raportimit të pjesëmarrjes së Stevanoviqit në takimin me Vuçiqin, në një konferencë për media, ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, e konsideroi cenim integriteti një veprim të tillë dhe i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të ndërmarrë veprime për këtë rast.

“Gjyqtarët dhe kryetarët e gjykatave në Republikën e Kosovës duhet të sillen me integritet të lartë moral dhe profesional. Çdo pjesëmarrje në një takim të tillë e cenon këtë integritet”, kishte thënë ajo.

Suspendimi i saj e vuri në lëvizje Aleksandar Vuçiqin që të akuzojë Qeverinë e Kosovës për shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, në tentativën e tij që ta bëjë edhe bashkësinë ndërkombëtare të reagojë. Vuçiq tha se suspendimi i Stevanoviqit është bërë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ky i fundit ia përkujtoi pavarësinë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga Qeveria, derisa s’përtoi ta kritikojë për ndikimin e pushtetit të tij në gjyqësorin serb.

“Unë nuk jam as kryetar e as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjyqësori është i pavarur nga Qeveria. Ndoshta në Serbi, presidenti suspendon apo largon gjykatës dhe prokurorë. Ky nuk është rasti i Kosovës apo në rastin e gjykatëses Stevanoviq”, ka shkruar Kurti në Twitter më 25 mars. Marrëveshja e Brukselit për Drejtësi, për të cilën ra dakord Kosova dhe Serbia në Bruksel në vitin 2013, përcakton që kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë duhet të jetë i nacionalitetit serb dhe në rastet kur gjykohen serbët, paneli i gjyqtarëve duhet të jetë me shumicë serbe.

(Kosova Sot Online)