Shpëtohet një fëmijë nga zjarri i madh në Prishtinë

  • E.K /
  • 14 April 2022 - 14:55
Shpëtohet një fëmijë nga zjarri i madh në Prishtinë

Një zjarr i madh ka shpërthyer në një objekt banimi në Prishtinë, derisa në vendin e ngjarjes kanë dalë policia, zjarrfikësit dhe autoambulanca.

Policia ka rrethuar me shirita zonën ku ka ndodhur zjarri, duke bllokuar qarkullimin për një kohë.

Detaje për këtë zjarr, ka dhënë Shkelzen Xhafa nga Policia e Kosovës duke thënë se falë intervenimit policisë së bashku me banorët është arritur që një fëmijë të shpëtohet nga zjarri.

Sipas tij për momentin është faza fillestare e hetimeve dhe nuk dihet se çka e shkaktoi zjarrin.

“Sot policia rreth orës 12:00 ka marr një informatë se është një zjarr në një objekt banimi në rrugën Lidhja e Prizrenit. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka marr të gjitha masat në lidhje me evakuimin e banorëve dhe evitimin e rrezikut. Falë intervenimit të policia së bashku me banorët është arritur që një fëmijë të shpëtohet. Pastaj kanë ardhur edhe banorët që me përkushtimin e tyre ka arritur deri tek komplet shuarja e zjarrit. Ende është në proces se si është shkaktuar zjarri . Për momentin është faza fillestare dhe nuk mund të themi se çka e shkaktojë zjarrin”, tha Xhafa.

Ndërsa Latif Zeka komandant i Zjarrfikësve të brigadës së Prishtinës tha se zjarrfikësit kanë ardhur prej dy pikave prej Qendrës dhe Kodrës së Trimave, teksa shtoi se zjarri është nën kontroll dhe nuk ka kurrfarë rreziku.

“Sipas  informatave qe kam marr mbasi qe kanë mbërri zjarrfikësit, lajmi ka ardhur në brigadë në orën 12:10 minuta.  Zjarrfikësit kanë ardhur prej dy pikave prej qendrës dhe kodrës së trimave. Ata si kanë mbërri nuk e kanë lënë zjarrin me u përhap dhe kanë shpëtuar njerëz që kanë qenë brenda. Sipas informatave të ndihmës së shpejtë ka qenë vetëm një fëmijë i lënduar. Dy persona kanë nxjerr zjarrfikësit përjashta dhe nuk janë të lënduar. Zjarri është nën kontroll dhe nuk ka kurrfarë rreziku. Unë e kam verifikuar vet prej lart deri poshtë se mos ka njerëz”, tha Zeka.

Banori Arsim Vranovci ka thënë se tre policë të cilët ishin në vendin e ngjarjes kanë arritur të shpëtojnë një fëmijë , teksa i njëjti ka kërkuar që këta tre policë që të shpallen heronjtë e ditës.

“Jam dëshmitarë sot për heroizmin e Policisë së Kosovës, e sidomos të tre policëve. Një civil dhe dy me uniformë të cilët e kanë bërë një punë që të na bëjnë ne banorëve të ndihemi të sigurt. Kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme që ti shpallë heronjtë e ditës pasi kanë shpëtuar një fëmijë nga një banesë i cili kishte arritur të largohej nga banesa e vete dhe të vendosej në një objekt tjetër nga xhami. policët nga një largësi aq e largët kanë kërcyer dhe kanë shpëtuar fëmijën. Kërkojë nga Ministria e Punëve të Brendshme që këta tre policë të shpallën heronjtë e ditës. Nuk është shpëtuar vetëm ky fëmijë. Janë shpëtuar tre fëmijë dhe një grua tjetër. Policet dhe zjarrfikësit ishin heronjtë e ditës. Dua që sot me Ministrin e Punëve të Brendshme, me Kryeministrin dhe me Presidenten që këta tre polic të shpallen heronjtë e ditës”, tha ai

(Kosova Sot Online)