Fotografi nga sulmet e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës në veri

  • E.K /
  • 16 April 2022 - 11:08
Fotografi nga sulmet e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës në veri

Zyrtarët policorë të Kosovës janë sulmuar sërish mëngjesin e sotëm në veri të vendit. Policia e Kosovës ka njoftuar se sulmi ka ndodhur rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës. Atje kanë ndodhur dy shpërthime që dyshohet të jenë bërë me mjete piroteknike.

E policia po dyshon se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë.

“Sot, më 16.04.2022, rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës, kanë ndodhur dy shpërthime (dyshohet nga mjete piroteknike). Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.   Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave”, thuhet në njoftim.

Edhe dje ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla konfirmoi se nga 13 prilli, ndaj policëve të Kosovës janë kryer katër sulme ndaj policisë.

Këto sulme ai I ka quajtur sulm terrorist, teksa shtoi se nbë sulmin e djeshëm është përdorur armë e llojit kallashnikov dhe granatë dore.

Ndërsa në anën tjetër Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha dje se sulmet kanë ndodhur në mënyrë sistematike ku së pari janë përdorur iriqët në rrugë, sulmi me gurë, gjuajtja me armë dhe në fund gjuajtja në patrullën e Policisë së Kosovës.

Më poshtë mund të shihni pamje nga pesë sulmet që janë bërë ndaj Policisë së Kosovës në veri, nga 13 prilli. 

(Kosova Sot Online)